Pas sulmit rus në ambasadën shqiptare në Kiev, Ministria e Punëve të Jashtë ka thirrur në takim ambasadorin e Rusisë në Tiranë për të folur rreth kësaj çështjeje.

Mësohet se ambasadori ka qëndruar për disa minuta në ambientet e Ministrisë së Jashtme ndërsa nuk dihet se për çfarë është diskutuar konkretisht. Ndërkohë, Ministria ka postuar në platformën X disa pamje nga dëmet e shkaktuara në ambasadën shqiptare, teksa thekson se u vu në rrezik jeta e personelit diplomatik.

Postimi:

Një seri sulmesh ajrore nga Federata Ruse tronditi Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të mëdha në disa zona të kryeqytetit ukrainas. Si pasojë e këtyre sulmeve u dëmtua pjesërisht Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kiev, si dhe ambasadat e pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm mbi themelet e diplomacisë ndërkombëtare.

Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhen respektuar dhe respektuar plotësisht.