Kryespeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturi Joani me anë të një deklarate për mediat, ka shprehur ngushëllimet e tij për sulmin terrorist në Kishën e Damaskut, që i mori jetën ditën e djeshme të paktën 22 viktimave dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.
Fortlumturia e Tij shprehet se sulmi në Kishën e Profetit Ilia, ndodhi gjatë Liturgjisë Hyjnore të së dielës, në një orar të shenjtë. Duke cituar Kryepeshkopin e ndjerë Anastasin, Fortlumturi Joani thekson se askush nuk ka të drejtë të përdorë vajin e fesë për të ndezur zjarrin e konflikteve.
Më tej, ai shpreh ngushëllimet ndaj Patriarkut të Antiokisë z.Joan dhe lutet për prehjen e shpirtit të viktimave të sulmit terrorist brenda kishës. Së fundmi, Kryepeshkopi Joan bën thirrje për paqe dhe ndalje të dhunës, pasi siç thotë ai bashkëjetesa mes popujve dhe feve është e vetmja rrugë për një të ardhme më të mirë.
Deklarata e plotë:
Me dhimbje të thellë u informuam për sulmin terrorist në Kishën e Profetit të Shenjtë Ilia në Damask, që ndodhi ditën e djeshme gjatë Liturgjisë Hyjnore, ku dhjetëra besimtarë të pafajshëm humbën jetën ose u plagosën.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë e dënon këtë akt dhune, aq më tepër që ndodhi në orarin e shenjtë të lutjes, gjatë Misterit të Falënderimit Hyjnor. Sipas fjalëve të urta të Kryepiskopit tonë të ndjerë Anastas: “Askush nuk ka të drejtë të përdorë vajin e fesë për të forcuar zjarrin e konflikteve. Feja është dhuratë hyjnore, e dhënë për të qetësuar zemrat, për të shëruar plagët dhe për të sjellë më afër individët dhe popujt”.
Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjet e viktimave dhe mbështetjen tonë për Fortlumturinë e Tij, Patriarkun e Antiokisë, z. Joan dhe për të gjithë Komunitetin Orthodhoks të Sirisë. Lutemi për prehjen e shpirtrave të viktimave të pafajshme dhe për shërimin e shpejtë të të plagosurve.
Nga Shqipëria, një vend që ka dëshmuar se bashkëjetesa paqësore mes feve nuk është ëndërr e paarritshme apo utopi, por realitet i gjallë, i bëjmë thirrje të gjithëve të qëndrojmë të bashkuar kundër dhunës. Bashkëjetesa paqësore e popujve dhe feve është rruga e vetme për një të ardhme më të mirë.



