Mbrëmjen e djeshme, pas tubimit paqësor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protesta mori një tjetër karakter pas marshimit deri në komisariatin nr.3.

Një numër i konsiderueshëm protestuesish, u vendosën përpara këtij institucioni të Policisë së Shtetit për shkak se aty ndodhen një pjesë e të arrestuarve pas incidenteve të ndodhura të enjten para dhe gjatë seancës plenare në Kuvend. Gjatë qëndrimit para komisariatit, disa protestues, një pjesë të cilëve të maskuar, kanë sulmuar vandalisht ambientet e komisariatit, duke thyer xhamat dhe orendi që ndodheshin në holl.

Top Channel ka siguruar prononcimin e një prej protestuesve, i cili shprehet: “Dhuna e ndodhur sot nuk na përfaqëson të gjithë protestuesit, se nuk fituam gjë nga kjo. Ama ne ngritëm zërin. Duam që ne të dëgjohemi dhe të kemi një rezultat, një paqe. Unë dua të flas për Everestin, që është një student, i arrestuar bashkë me babanë e tij. Ka qenë paqësor, nuk ka ushtruar asnjë dhunë. Unë mendoj se duhet të dalë. Disa kanë qenë edhe në lokal.”