Protestat e studentëve dhe gjimnazistëve vijojnë këtë të enjte për të tretën ditë radhazi, ndërsa bojkoti i mësimit është shtrirë në disa shkolla të mesme dhe universitete në Tiranë, si edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Që në orët e para të mëngjesit, të rinjtë kanë nisur të grumbullohen në kryeqytet, duke iu përgjigjur thirrjeve për mobilizim të shpërndara në rrjetet sociale. Një prej pikave kryesore të tubimit është zona përpara Parlamentit, ku protestuesit janë mbledhur për të vijuar demonstratat.

Dita e tretë e protestës vjen pas përshkallëzimit të situatës të mërkurën, kur rrugët e Tiranës u përfshinë nga tensione dhe përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit. Gjatë tubimit u raportuan zjarre dhe dëmtime të pronës publike e private, përfshirë institucione dhe biznese.

Ndërkohë, lëvizja protestuese nuk është kufizuar vetëm në kryeqytet. Edhe në disa qytete të tjera të vendit raportohet se nxënës dhe studentë kanë ndërprerë pjesëmarrjen në mësim, duke iu bashkuar thirrjeve për protestë.

Në kushtet e situatës së krijuar, është anuluar edhe seanca plenare e Kuvendit, e planifikuar për këtë të enjte, ndërsa zhvillimet e fundit kanë përqendruar vëmendjen e opinionit publik dhe të politikës te protestat.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ngjarjeve të së mërkurës, duke akuzuar opozitën se po përpiqet të pengojë përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Kreu i qeverisë ka theksuar se vendi nuk do të kthehet pas në rrugën e integrimit europian, pavarësisht tensioneve dhe përplasjeve që kanë shoqëruar protestat e ditëve të fundit.