Policia ka arrestuar dy të rinj pas një konflikti të dhunshëm mes dy familjesh në zonën e Spitallës, që ndodhi ditën e djeshme. Ngjarja, motivet e së cilës mbeten ende të paqarta, ka përfunduar me një person të plagosur rëndë dhe disa të tjerë të lënduar.

Të arrestuarit janë Rodriko Elezi, 22 vjeç, dhe Aldo Dubraku, 23 vjeç. Sipas njoftimit zyrtar, Rodriko Elezi akuzohet për “Plagosje të rëndë me dashje” dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”, pasi dyshohet se ka goditur me thikë dhe ka plagosur rëndë 47-vjeçarin M. Dubraku i cili është babai i të arrestuarit tjetër, Aldo Dubraku.

Nga ana tjetër, Aldo Dubraku përfundoi në pranga pasi akuzohet për “Plagosje të rëndë me dashje”, pasi ka goditur me grusht 46-vjeçarin R. Elezi, babain e Rodriko Elezit, duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë.

“Plagosën rëndë 2 shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, vihen në pranga 2 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit: 

R. E., 22 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;

A. D., 23 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Ditën e djeshme, në lagjen nr. 15, Spitallë, janë konfliktuar me njëri-tjetrin, shtetasit M. D., 47 vjeç dhe A. D., 23 vjeç (babë e bir) me shtetasit A. E., 46 vjeç dhe R. E., 22 vjeç (babë e bir).  

Nga hetimet dyshohet se gjatë konfliktit, shtetasi R. E. ka goditur me thikë shtetasin M. D., ndërsa shtetasi A. D. ka goditur me grushte shtetasin A. E., duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë. Shtetasi M. D. dhe A. E. janë në spital, në kujdesin e mjekëve.        

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia e Durrësit.