Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, ka qenë ditën e sotme në një lidhje telefonike me emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën.
Veliu bëri një lidhje direkte nga Pallati i Kongreseve, aty ku kryeministri i vendit, Edi Rama, mbledh Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste për të shpallur qeverinë e re.
Rama do të listojë prioritetet e mandatit të 4-rt dhe ekipin me të cilin do të drejtojë vendin deri në vitin 2029. Në fokus, objektivi madhor i anëtarësimit të Shqipërisë në BE deri më 2030-ën.
“400 anëtarët e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste do dëgjojnë fjalën e Edi Ramës në orën 11:00, ku ai do të flasë për objektivat e mandatit të katërt qeverisës dhe më pas do të tregojë skuadrën e tij të re me të cilën do të qeverisë në katër vitet e ardhshme. Jemi pak a shumë në të njëjtën situatë si me Ledion Liçon në “Big Brother”, i cili hap zarfin me të nominuarit dhe me ata të cilët shpëtojnë. Të gjithë ministrat aktualë të qeverisë Rama 3 janë të nominuar, pritet me shumë interes të mësohet se kush do të shpëtojë prej tyre e do të vazhdojë të jetë në Këshillin e Ministrave dhe aq më tepër kush do të jenë prurjet e reja.
Gjithsesi kryesocialisti Edi Rama ia ka dalë deri në këto momente që të ruajë ekskluzivitetin e emrave. Janë përfolur gjatë 2-3 javëve të fundit shumë emra si kandidatë potencialë, por Edi Rama pritet ta hapë zarfin me emrat e Ministrave të rinj rreth orës 13:00, pasi ai do të mbajë një fjalë të gjatë për programin e katër viteve të ardhshme dhe po ashtu ai do të kujdeset t’i thotë anëtarëve të Asamblesë Kombëtare Socialiste se nuk duhet të jenë euforikë për atë fitore të thellë të realizuar më 11 Maj, pasi objektivi kryesor, goli kryesor i Edi Ramës është anëtarësimi i Shqipërisë në 2030 në Bashkimin Europian, që ishte dhe lajtmotivi i fushatës së shkuar elektorale”, tha gazetari i njohur.