Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca ka kërkuar sot që seanca gjyqësore të shtyhet sërish, kjo pasi klienti i tij nuk mund të paraqitet në seancë për shkak se ka këmbën e thyer dhe lëviz me paterica, bën me dije gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.

Pasi në sallë u lexua letra e Veliajt, i cili kërkonte që ta zgjidhte vetë spitalin për të bërë operacionin e këmbës, gjykata pyeti avokatin nëse ai e kishte të pamundur për të ardhur në seancë. Ndreca tha se e ka të vështirë për shkak se është me patericave.

“Nuk jemi në kushtet për të vijuar seancën pasi Veliaj ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë në seancë. Tentova dje ta takoja dhe nuk jam lejuar nga IEVP Fier. Kam kërkuar shpjegime dhe nuk më janë dhënë. Jam i pamundur ta vazhdoj mbrojtjen pa u konsultuar me klientin. Janë disa elementë që duhet ti konfirmoj me klientin. Ne e kemi bërë të qartë të gjithë kronologjinë e situatës shëndetësore të Veliajt. Kemi kërkuar nga ju të vendosni për këtë histori çnjerëzore”, tha ai.

Por prokurori Ols Dado dhe Altin Dumani u shprehen se nuk ka arsye për ta shtyrë sërish seancën, pasi edhe në letër, Veliaj nuk e kushtëzon.

“Në letër, Veliaj nuk e kushtëzon vijimin e seancës. Herën e fundit për këtë u shty seanca që mbrojtja të konsultohej me të. Një javë ishte e mjaftueshme që avokati të konsultohej. Nuk më duket situatë serioze, as ligjore. E kemi dërguar çështjen që në shtator 2025. Shtyrjet janë bërë për shkaqe të të pandehurve apo mbrojtjes. Asnjëherë nuk është bërë shkak SPAK. Ne jemi këtu që të gjykohet çështja”, ka deklaruar Dumani.