Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar pas incidentit të ndodhur në Dhërmi, ku një mjet lundrues hyri në perimetrin e sigurisë së pushuesve, duke rrezikuar personat që po bënin plazh.

Përmes një postimi në Facebook, Lamallari deklaroi se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj personave që shkelin rregullat e sigurisë në zonat bregdetare.

“Për ‘trimat’ si ky në Dhërmi, që sfidojnë perimetrin e sigurisë në plazhe dhe rrezikojnë jetën e pushuesve, nuk do të ketë asnjë tolerim. Ta gëzosh gjobën 5 milionë lekë të vjetra dhe provoje përsëri të bësh aventura të tilla”, shkroi ministri.

Ai theksoi se Njësia e Posaçme Detare e Policisë së Shtetit do të jetë çdo ditë në monitorim të vijës bregdetare, nga Velipoja deri në Ksamil, për të garantuar sigurinë e pushuesve gjatë sezonit turistik.

Sipas Lamallarit, kontrollet do të jenë të vazhdueshme për të parandaluar rastet që cenojnë sigurinë dhe qetësinë në plazhe.