Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është ndalur edhe sot të flasë në lidhje me përjashtimin e  Ervin Salianjit nga anëtarësia e partisë.

Teksa komentoi deklaratën e deputetes Jorida Tabaku, e cila tha se PD nuk e ka luksin për të përjashtuar një anëtar të sajin, Berisha akuzoi Salianjin për shkelje të statutit. Sipas Berishës, Tabaku ka shprehur opinionin e saj, por për Salianjin nuk ka më vend në PD, pasi sipas tij, ai bashkëpunon me krimin.

“Së pari njëherë, deputetja ka shprehur mendimin e vet dhe kjo është një gjë krejt normale. Së dyti, nuk është përjashtuar, është vetëpërjashtuar. Vetëpërjashtimi është kur ti shkel në mënyrë flagrante ato që thotë statuti i partisë tënde. Kjo është e vërteta. Për dijeni, nuk ka pasur asnjë funksion, as në Këshill Kombëtar, as në Kryesi, në asnjë institucion. Pasi doli nga burgu, për ta respektuar, u caktua përkohësisht në Kryesi dhe tregoi se nuk ishte i denjë. U vetëpërjashtua me aktet që bëri. Kaq. Nuk ka, bashkëpunimin me krimin nuk e falim ne si parti. E kemi të prerë atë në mënyrë absolute”, deklaroi Berisha.