Bashkia e Tiranës


Bashkia e TiranesPas botimit të artikullit të djeshëm në gazetën Shqip, për tabelat elektronike (informuese) të cilat, në vend që të orientojnë lëvizjen e automjeteve, drejt rrugëve pa trafik, japin mesazhe të thjeshta të rregullave të qarkullimit rrugor, reagon Bashkia e Tiranës. Pavarësisht se e kontaktuar nga gazeta Shqip, për të siguruar informacion rreth ecurisë së zbatimit të projektit të qendrës për menaxhimin e trafikut urban, Bashkia e Tiranës, thotë se tabelat informuese e kryejnë funksionin për të cilin janë instaluar, duke ndihmuar në uljen e mbingarkesës së trafikut në nyjat kryesore të Tiranës.


“Janë pajisur me tru të ri elektronik 51 nyje të trafikut në qytetin e Tiranës, të cilat mundësojnë kontrollin automatik dhe të integruar nga qendra operacionale në vend të kontrollit individual dhe manual të mëparshëm. Për herë të parë, në Tiranë janë instaluar 9 semaforë, të cilët janë të pajisur me buton për kalimin e këmbësorëve dhe sinjale akustikë për kalimin e sigurt për personat me aftësi të kufizuara në dëgjim dhe shikim. Në 17 nyje kryesore janë vendosur semaforë me numra tregues kohe të cilat aplikohen për herë të parë në Shqipëri dhe orientojnë më mirë si qytetarët ashtu edhe automjetet, për të kaluar në kryqëzime. Pjesë e projektit janë dhe 6 pajisje elektronike të përditësuara (tabela të mëdha) që u japin drejtuesve të automjeteve mesazhe sensibilizuese, të cilat zunë vendin kryesor në median tuaj”, thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, nëpërmjet këtyre tabelave janë informuar drejtuesit e mjeteve për punimet në akset kryesore, siç ishte Rruga e Elbasanit apo Rruga e Dibrës si edhe janë përcjellë mesazhe sensibilizuese për mospërdorimin e telefonit dhe për vendosjen e rripit të sigurimit.