Deklarata
Ministri i Brendshëm thotë se të gjithë drejtuesit e policisë do të mbajnë shënim fatin e procedimeve
“Qytetarët presin përgjigje që ne nuk mund të lejojmë të kthehen në simbol të padrejtësisë, pabarazisë, pandëshkueshmërisë, si ‘Gërdeci’, ‘21 Janari’, evazioni fiskal me tatimet në rendin e miliona eurove, zyrtarët e lartë, ndoshta nivelet më të larta, të kallëzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion”. Përgjigjja e mazhorancës ndaj kryeprokurorit ka qenë që të hetojë këto çështje, të cilat ende nuk janë zbardhur, megjithëse ka pasur disa tentativa të dështuara. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, tha dje se duhet punë, jo vetëm për të dhënë mesazhe publike mbi bashkëpunimin institucional. “Një standard i ri bashkëpunimi që synon jo vetëm bashkërendimin e punëve në baza mujore, por dhe ballafaqimin e hapur dhe transparent ndaj problemeve të njërit apo tjetrit institucion, duke përmbushur kështu dhe një kriter themelor të punës sonë, llogaridhënien ndaj njëri-tjetrit dhe publikut. Takimet e përbashkëta mujore, në nivel qendror si ky, por edhe ndërmjet drejtuesve lokalë të Policisë dhe Prokurorisë, nga njëra anë do t’i japin substancë bashkëpunimit të domosdoshëm ndërmjet dy institucioneve, por nga ana tjetër, në mënyrë reciproke do na mbajnë të detyruar për t’iu përgjigjur detyrimeve dhe përgjegjësive përballë ligjit dhe përballë qytetarëve, pa u shmangur apo fshehur pas burokracisë”, tha Tahiri, duke shtuar se prej pak muajsh, drejtuesit e policisë janë porositur të mbajnë shënim fatin e procedimeve, duke përfshirë veprimet konkrete të prokurorisë dhe vendimin konkret të gjykatës për çështjen. “Tashmë dihet publikisht që unë përfundimet e këtij vlerësimi ia kam bërë me dije Presidentit të Republikës në cilësinë e kryetarit të KLD-së dhe ministrit të Drejtësisë, dhe ka raste që lënë shumë vend për të reflektuar dhe ndërmarrë veprime të menjëhershme, të cilat do ta vinin dhe gjykatën përballë pamundësisë për të dhënë vendime liberale apo akoma më keq, vendime absurde deri në dyshime të forta për paligjshmëri.
Pasuria e pajustifikuar e zyrtarëve të lartë apo e individëve që kanë zhvilluar veprimtari kriminale, në Shqipëri ose jashtë vendit, korrupsioni elitar, pastrimi i parave apo krimi ekonomik, cenojnë rëndë barazinë para ligjit, barazinë e mundësive për qytetarët, duke kalcifikuar atë që të gjithë e quajmë pandëshkueshmëri, dhe mbi të gjitha duke ricikluar kriminalitetin në shoqëri dhe për fat të keq, ndonjëherë edhe në politikë e vendimmarrjen publike”, tha ministri. Ai shtoi se vlerësojmë disponibilitetin e Prokurorisë, por nga ana tjetër, nxisim veprime konkrete dhe të forta, që dëshmojnë pa asnjë ekuivok, vullnetin për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, me më shumë forcë kur këto janë të veshur me kollaren dhe xhaketën e pushtetit. Tahiri shtoi se mbështet të gjitha veprimet hetimore të nevojshme, për të hapur dhe për të çuar përpara deri në dënimet penale nga gjykatat, të gjitha çështjet e mbetura pezull, por që janë mjaft sensitive për rendin ligjor dhe shtetin e së drejtës. “Veçanërisht ato më të rëndësishmet, për të cilat drejtësia dhe qytetarët presin përgjigje, që ne nuk mund të lejojmë të kthehen në simbol të padrejtësisë, pabarazisë, dhe pandëshkueshmërisë si “Gërdeci”, “21 Janari”, evazioni fiskal me mashtrime në tatime në rendin e miliona eurove, zyrtarët e lartë, ndoshta nivelet më të larta, të kallëzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion, e kështu me radhë”, pohoi ministri.
Ligji i Policisë
Ligji i ri për Policinë e Shtetit ka përfunduar duke parashikuar të gjitha dispozitat për Byronë Kombëtare të Hetimit, e cila do të jetë në varësi të Policisë së Shtetit