Bashkëpunimi mes policisë dhe komunitetit është një nga temat që Ministria e Punëve të Brendshme po këmbëngul për të sensibilizuar publikun.
Sipas Ministrit të Punëve të Brendshme, Sajmir Tahiri, kjo “është një reformë që do të ndikojë në perceptimin publik ndaj policisë. Nuk kemi një trashëgimi të shëndoshë në marrëdhënien polici-qytetar. Ka ekzistuar një kohë kur policia quhej instrument represiv për qytetarin dhe nuk ngjallte dot respekt. Vetë punonjësi i policisë e përjeton detyrën si çështje personale: nëse ka mundësi sillet dhunshëm, nëse nuk ka, mbyll një sy. Kjo ndodh kur nuk respektohet standardi ligjor. Beteja me këtë trashëgimi është e vështirë dhe kemi një detyrë jo të lehtë përpara”, tha Tahiri.
Tahiri theksoi se më parë policia konsiderohej si një nga institucionet më të korruptuara, “por tani gjërat kanë ndryshuar. Qytetari është sensibilizuar se çdo shkelje ligjore duhet denoncuar”, – shtoi ai.
23 shtator 2015 (gazeta-Shqip.com)