Letra


Ministri i Brendshëm, AKEP-it: Ndryshoni ligjin. Të mbyllen edhe numrat e tepërt nga një person


sajmir tahiriShtimi në masë i shpërthimeve të eksplozivëve të telekomanduar me anë të celularëve ka bërë që Ministria e Brendshme të marrë masa. Paraditen e së hënës, Saimir Tahiri ka kërkuar me anë të një kërkese zyrtare, mbylljen e menjëhershme të numrave aktivë të telefonisë celulare, për të cilët nuk ka një pronar të individualizuar. Gjithashtu, ai ka kërkuar mbylljen e numrave të tepërt, të regjistruar në emrin e të njëjtit person. Shkresa i është drejtuar kryetarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Pirro Xhixho, ku Tahiri ka ngritur një shqetësim tepër serioz, lidhur me disa elemente të punës së operatorëve telefonikë celularë. Sipas ministrit, nga hetimet paraprake është vënë re se autorët e krimeve e kanë mjaft të lehtë që të veprojnë, pasi gjejnë në treg numrat celularë, pa pronarë të identifikuar. Ai thekson faktin se ky fenomen i trashëguar prej kohësh, është kthyer në një problem që cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare, rendin publik e mbi të gjitha jetën e qytetarëve. Për këtë arsye, Ministria e Punëve të Brendshme kërkon nga AKEP-i zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje, duke ofruar të gjithë ekspertizën e nevojshme për të bërë ndryshimet ligjore përkatëse, që do t’i japin fund një herë e mirë tregut të paligjshëm të kartave celulare. Nëse vërehen sërish shkelje, Tahiri sugjeron që ndaj përgjegjësve të ndërmerren sanksione penale, duke nisur nga operatorët celularë, deri te shitësit dhe blerësit e numrave celularë fantazmë. Javën e kaluar u regjistruan të paktën gjashtë raste të sulmeve me eksploziv. Më i rëndi prej tyre ka qenë ai i Durrësit, ku biznesmeni i ndërtimit, Xhemal Çela, ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak, një ditë pas atentatit. Ndërsa kreu i Komunës Qendër, Vlorë, Fredo Berberi, mori plagë të rënda, e për pasojë ai është dërguar jashtë shtetit për shërbim të specializuar. Fenomeni në rritje është bërë shqetësim mjaft madhor për rendin dhe sigurinë e jetës në vend. Zbardhja e ngjarjeve të tilla është e vështirë, pasi autorët e krimit nuk lënë asnjë gjurmë në skenën e krimit. Eksplozivi i telekomanduar është mjaft i thjeshtë për t’u instaluar në automjet apo objekte të tjera. Pothuajse në të gjitha rastet, mekanizmi i vënies së tritolit në automjet është i njëjtë. Ata instalojnë poshtë sediljes së shoferit rreth 100 gramë tritol C4, të lidhur me një detonator. Ky i fundit ka lidhje me një celular, i cili i dërgon rrymë për aktivizimin. Mjafton një zile drejt numrit të futur në aparatin telefonik për të ndodhur shpërthimi. Atentatorët në momentin e veprimit janë shumë larg vendit të krimit dhe policia e ka shumë të vështirë që t’i identifikojë. Tregu i zi i blerjeve të kartave lehtëson punën e ekzekutuesve dhe disa ditë më parë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ngriti shqetësimin e kartave SIM në tregun e zi. Ndërkaq, lënda e parë, tritoli C4, është lehtësisht i gjindshëm, pasi ka mbetur jashtë depove që në periudhën e 1997-s. Ai përdoret gjerësisht në shpërthimin e minierave, nëpër gurore dhe te biznesmenët që kryejnë punime në rrugë.