Grumbullimet në shkelje të rregullave kundër koronavirusit të Lulzim Bashës, mund të kenë pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve.
Lideri i PD, po shfaqet nga qyteti në qytet, mes turmave të mëdha të njerzve, ndërsa gjithë abuzimin e arsyeton më një fjali “qytetarët dalin vetë, pasi janë lodhur nga Rama”.
Por së fundmi kanë filluar të ndihen edhe pasojat e tubimeve të tilla. Dy kandidatë të PD raportohet se janë infektuar me koronavirus. Fillimisht Mark Marku, drejtuesi politik i qarkut të Lezhës, dhe së fundmi edhe kreu i PD në Gjirokastër, Roland Bejko.
Takimi i fundit elektoral i Mark Markut, që është bërë publik është ai në Shënkoll, me grumbullim njerëzisht dhe pa maska. Takimi është bërë më 29 mars, pra vetëm 1 ditë para se të merrte përgjigjen e tamponit pozitiv, dhe janë publikuar në mediat sociale më 30 mars.
Ndërkohë, kandidati i PD në Gjirokastër, Roland Bejko në një postim në mediat sociale njofton se prej gati dy javësh, ka munguar në fushatën elektorale pasi ka rezultuar i infektuar me COVID. Kjo periudhë kohe korrespondon edhe me mitingun e fundit të zhvilluar nga Basha në qytetin e Gjirokastrës.
‘Të dashur miq, Për shkak të infektimit nga Covid 19 prej gati dy javësh, kam qenë i detyruar të mungoja fizikisht në fushatën elektorale që po vazhdon me intensitet në Qarkun e Gjirokastrës. Në këto kushte, kam zgjedhur që komunikimin me zgjedhësit tanë, ta mbaj nëpërmjet telefonit, rrjeteve sociale, dhe televizionit.’– shkruan Bejko.
Takimet e Bashës në dy qytetet ku iu infektuan kandidatët
Në të dy qytetet, Lezhë dhe Gjirokastër, kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar takime elektorale me qindra qytetarë, çka potencialisht tregon se virusi mund të jetë përhapur edhe në persona të tjerë.
Ndërsa gjithë bota lufton me pandeminë, përmes respektimit të masave dhe vaksinimit, shfaqja e kandidatit për kryeministër mes turmave, tregon edhe qasjen e tij totalisht të gabuar ndaj pandemisë. /Gazeta SHQIP