Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me përfaqësues të delegacionit të Komisionit të Venecias, ku në fokus të diskutimeve ishin zgjedhjet dhe financimi i subjekteve politike.
Në një deklaratë për mediat pas takimit, Berisha ngriti shqetësime lidhur me mënyrën e financimit të partive gjatë fushatës, duke e cilësuar këtë element si një nga aspektet më të rëndësishme të procesit zgjedhor.
Sipas tij, ka pasur një pabarazi të madhe mes forcave politike në aksesin ndaj burimeve financiare, ndërsa akuzoi qeverinë se ka përdorur fonde publike dhe aktivitete të organizuara pranë datës së zgjedhjeve për të ndikuar te votuesit.
Berisha përmendi gjithashtu organizimin e një sërë aktivitetesh publike gjatë periudhës zgjedhore, si dhe dhënien e bonusit për pensionistët, duke pretenduar se këto veprime kanë pasur ndikim elektoral.
Gjatë deklaratës së tij, kreu demokrat u ndal edhe te fenomeni i patronazhistëve, për të cilin tha se është evidentuar në raportet monitoruese dhe se ka krijuar reagime negative te qytetarët.
Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të vijojë të paraqesë pranë institucioneve ndërkombëtare pretendimet e saj për procesin zgjedhor dhe administrimin e fushatës.
