Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet për aktivitetet e dyshimta që janë zhvilluar në burgun e sigurisë së lartë në Drenivë të Korçës. Vetëm dy ditë pas publikimit të lajmit për ‘takimin special’ të modeles nga Kosova Ziza Pajaziti dhe të dënuarit me burgim të përjetshëm, Laert Haxhiu, gazetari Elton Qyno shkruan për OraNews, se prokuroria e Korçës ka kërkuar nga drejtoria e këtij burgu të njihet me praktikën e këtij rasti.

Për të zbardhur të gjitha rrethanat e rastit, prokuroria ka kërkuar të administrojë praktikën dhe rregulloren e burgut, për sa i përket takimeve që zhvillojnë të dënuarit e burgut me persona të jashtëm. Rregullorja parashikon që në takime private me të dënuarin nuk mund të hyjë asnjë person, që nuk është zyrtarisht e martuar ose i martuar me të dënuarin ose të dënuarën.

Ndaj në këtë rast, po verifikohet se me çfarë statusi është pranuar kërkesa e të dënuarit me burg përjetë Vladimir Kurti, për të planifikuar një takim special me modelen nga Kosova, Ziza Pajaziti.

Deri në këtë fazë ku ndodhet hetimi i prokurorisë, dyshimet janë se njerëz nga jashtë burgut, duke përfshirë dhe noterë kanë falsifikuar dokumenta, të cilat paraqesnin një situatë fiktive se mes Vladimir Kurtit dhe Ziza Pajazitit, ishte celebruar një martesë.

Përmes dokumentave të dorëzuar në drejtorinë e Burgut Drenovë, është mbyllur takimi në 12 qershor me Vladimir Kurtin. Por teksa Pajaziti është akomoduar në dhomën speciale, policia e Burgjeve ka shoqëruar në këtë dhomë Laert Haxhiun dhe jo Vladimir Kurtin.

Një taktikë e tillë është përsëritur disa herë në burgun e Korçës, ndaj prokuroria tashmë ka nisur një hetim për të bërë “skanerin” e disa dosjeve të personave të dënuar, për të mësuar rreth takimeve private që ata kanë pasur dhe nëse vajzat ishin personat e lidhur në bashkëmartesë apo ishin të jashtme. Qyno shton se në tre burgjet e sigurisë së Lartë në Shqipëri, burgun e Korçës, burgun e Burrelit dhe atë të Peqinit, por edhe në paraburgimin 313 në Tiranë, informacionet janë se vajza të ShoëBizit në Shqipëri, eskorta nga Kosova, e madje Venezuela dhe deri Bolivia, kanë hyrë për takime speciale me të dënuar me burg përjetë.

Por ngjarja me Pajazitin ka bërë që të nisë një procedim penal të hapur për “Shpërdorim detyre”, ndaj ish-drejtorit të burgut Drenovë, Fatjon Fasho dhe shefit të policisë së Burgut, Sokol Kaçoli.

Të dy zyrtarët e lartë të burgut Drenovë, një javë më parë u larguan nga puna si dhe u bë sekuestrimi i 4 aparateve telefonikë “Iphone” dhe “Samsung”, që përdoreshin nga tre anëtarët kryesorë të grupit si Laert Haxhiu, Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi.