Detaje të reja janë zbardhur nga sherri mes të miturve në ish-kënetën e Durrësit, ku i vrarë mbeti Erion Boba. Bëhet me dije se viktima dhe 14-vjeçari nuk kishin lidhje me sherrin, por Erioni po shoqëronte me makinë dy shokët e tij, ndërsa autori shoqërohej me makinë nga shoku tij i mitur dhe persona të tjerë.
Në momentin që të dy grupet kanë dalë nga mjetet kanë nisur të qëllojnë njëri-tjetrin me grushte, ristela, dërrasa dhe me bishtat e çadrave. Nga hetimet e deritanishme, ende nuk është bërë me dije se cili prej personave kishte sendet e forta.
Konkretisht konflikti ka nisur në rrjetet sociale, me sharje dhe ofendime mes shokut të Erion Bobës dhe vëllait të autorit. Pra viktima dhe autori nuk kanë qenë në konflikt me njëri-tjetrin, por po shoqëronin personat e tjerë. Pas ngjarjes 14-vjeçari bashkë me dy shokët që e shoqëronin, u larguan menjëherë duke marrë me vete edhe armën e krimit nga vendi i ngjarjes, e cila u gjet po në makinën që grupi erdhi në fillim.
Takimi i tyre përfundoi me një tragjedi, ku 14-vjeçari me inicialet M.K e goditi Erjon Bobën katër herë me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda edhe në zemër. Pas plagosjes, Boba u dërgua urgjent në spitalin “Nënë Tereza” dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve, ku humbi jetën pas 9 ditësh në luftë me jetën.




