Përgjimet mes pronarëve të ndërtimeve dhe nëpunësve shtetërorë. Avokatët: Rama i legalizoi
Dy punonjës policie dhe 6 inspektorët ndërtimorë u lanë në burg nga Gjykata e Tiranës, teksa përgjimet tregojnë implikimet e punonjësve në skemën korruptive me ndërtimet në këto zona. Nga ana tjetër, avokatët e të pandehurve shprehen se tashmë ndërtesat janë legalizuar dhe masat shtrënguese janë të tepërta, kurse burimet policore i thanë gazetës “Shqip” se ky “sulm” ndaj uniformave blu bëhet me synim njollosjen e Komisariatit nr 5. Gjyqtari Arben Mullaj, zhvilloi seancat gjyqësore ndaj të dyshuarve me dyer të mbyllura, ku në përfundim të shqyrtimit pranoi kërkesën e prokurorisë duke i lënë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Avokatët thanë se klientët e tyre nuk mund të procedohen penalisht, pasi ato ndërtime janë legalizuar dhe vetë kryeministri Edi Rama i ka dhënë tapitë. Vetë të dyshuarit, brenda sallës së gjyqit, i kërkuan gjykatës, që të lirohen dhe pretenduan se për objektet të cilat janë proceduar penalisht, prokuroria ka vendosur të pushojë hetimet për pronarët e tyre për akuzën e “ndërtimit të paligjshëm”. Për këtë fakt, ata thanë se nuk mund të ndiqen penalisht inspektorët dhe pronarët të mos procedohen për ndërtim të paligjshëm, duke akuzuar për qëndrime me dy standarde nga Prokuroria e Tiranës. Sipas akuzës, inspektorët Arjan Hoxhaj, Muhamed Korra, Petrit Jani, Afrim Deda, Murat Mena dhe Gazmir Marku kanë abuzuar me detyrën duke mos evidentuar në 86 raste në zonën e Kamzës ndërtimet e paligjshme. Ndërsa dy efektivët e policisë Qemal Sinaj dhe Fatmir Mulaj akuzohen se, edhe pse kanë evidentuar pronarët e banesave për ndërtim të paligjshëm, materialet nuk i kanë dërguar në prokurori për vazhdim të hetimeve.
Përgjimet
Si provë materiale për të faktuar mitmarrjen, prokuroria ka paraqitur në gjykim përgjimet telefonike. Kështu, në telefonatën e 10 tetorit 2015, inspektori Qemal Sina telefonon shtetasin M.Merhati që ka bërë ndërtim pa leje. Polici i thotë se “po nuk erdhe tani të më takosh mua, mos më thuaj që të preva në besë. Ta kam dhënë shansin, po ti po më shmangesh. Po nuk erdhe tani, nuk të marr përsipër asgjë”. Kurse Merhati përgjigjet: “Po mirë më prit sa të vishem dhe po vij dhe takohemi aty se unë nuk jam i pabesë”. Më 26 tetor 2015, R.Skeja telefonon inspektorin Fatmir Mulaj, ku i thotë “Fatmir a mun e marrësh atë sallën në telefon me i thanë kshu, kshu më kan ardhur policia këtu ke shpia”. Kurse Fatmiri i thotë se “Po, po ta çoj atë numrin e tij, merre atë mikun e tij. Merre mikun e tij e thuj kshu kshu”. Më 18 korrik 2015, S.Darsi telefonon inspektorin Fatmir Mulaj, të cilit i thotë “Fatmir nuk më del në telefon Bajrami, çfarë të bëj”. Si përgjigje merr fjalinë “Shko tako shefin e krimeve në zyrë dhe i thuaj kështu e ashtu e sa ta marr mendja ty”. Qytetari pyet “Nja tre?” e polici përgjigjet “Çfarë të them tani aq”. Biseda vijon me fjalët “Po a bëhet, a katër, a pesë? Me i shku ke zyra që tani?” dhe polici përgjigjet “Po bre, shko e thuaj”. S.Darsi i thotë se “Ok, po shkoj ta takoj pra, ti them nja po ja le nja pesë aty, çfarë të bësh?”. Inspektori interesohet nëse është takuar shefi i krimeve dhe flet sërish me S.Darsin, të cilit i thotë “A e takove atë, çfarë të tha?”, kurse Darsi përgjigjet se “Mbas një ore më kërkoi vetë, a e kupton cop një, një”. Inspektori i drejtohet “A e mbylle, a e mbylle veç si histori?” dhe Darsi thotë se “Po, po, deri sa i mori është e mbyllur si histori”.