Teksa komentoi rritjen e çmimit të naftës në Shqipëri, kryeministri Edi Rama foli edhe për taksën e qarkullimit, për të cilën tha se po u hoq nga karburanti, do të vendoset diku tjetër.

Kreu i qeverisë argumentoi se nëse taksa e qarkullimit shkon në formën e taksës për automjetin, do t’i kushtojë më shumë xhepit të qytetarëve.

“Taksa e qarkullimit për të gjithë ata që e dëgjojnë këtë dhe nuk janë të mirë informuar, nuk është problem që ulet këtu, po iku këtu do të shkojë diku tjetër. Nëse do shkojë diku tjetër, do shkojë në formën e taksës për automjetin. Nga kalkulimi rezultati është i thjeshtë.

Nuk besoj se nuk ka drejtues që taksën do e donte te automjeti, që do paguante katërfishin e asaj që paguan sot. Sipas kategorive të ndryshme, të mund të paguajë në ndonjë rast edhe 10-fishin”-tha Rama.

Kryeministri shtoi se ndotësit më të mëdhenj, duhet të paguajnë më shumë.

“Filozofia në taksën e çmimit është, ndotësit më të mëdhenj duhet të paguajnë më shumë. Nuk janë pensionistët në atë strukturë, nuk janë ata që marrin rrugën me makinë. Kjo është krejt normale”-shtoi kreu i ekzekutivit.