Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Jalë në një bashkëbisedim me të rinjtë. Shefi i qeverisë komentoi protestat dhe ndikimin e algoritmit.
“Ne sot jetojmë në një kohë kur niveli i vëmendjes ndaj asaj që lexojmë, shohim dhe diskutojmë ka rënë shumë, krahasuar me më parë. Sot vëmendja është shumë më pak e pranishme në një komunikim apo ndërveprim, sepse mendja është shumë më tepër diku tjetër dhe kjo lidhet me praninë e konsiderueshme të botës virtuale, përmes ekranit të telefonit, ku të gjithë kalojnë një pjesë të mirë të kohës.
Nuancat janë viktima e parë e çdo komunikimi, e çdo ndërveprimi. E vërteta është që algoritmi ka një rol jashtëzakonisht të madh në përcaktimin e koloritit të jetës sonë, për sa kohë ne e kemi jetën të lidhur me botën virtuale. Kjo nuk do të thotë që algoritmi vjen te ne me idetë e veta apo se përcakton arsyen përse ne bëjmë një veprim apo një tjetër. Kjo tregon se ai është amplifikator i zemërimit, i pakënaqësisë, i çdo gjëje që ka prirje të shkojë drejt skandalit, drejt surprizës për keq.
Kjo lidhet edhe me njeriun, nuk është çështje vetëm e jona, është kudo. Është e qartë nga çdo studim që gënjeshtra, akuzat, skandalet, çdo gjë që shkon në drejtim të energjisë negative, ka një shtrirje më të gjerë e më të thellë në kanalet sociale sesa informacioni, e vërteta apo lajmi që nuk ka brenda bujë.
Unë nuk kam thënë që algoritmi ishte arsyeja e protestës. Është e padiskutueshme që protesta ka arsye, të cilat lidhen me të përditshmen. Patjetër që ato arsye janë të rëndësishme për t’u kuptuar. Algoritmi ka impakt të jashtëzakonshëm në amplifikimin e zhurmës, negativitetit dhe të gjithë atyre nxitjeve që vijnë në formën e videove të manipuluara, të cilat i japin karburant ose i hedhin benzinë një zjarri që nuk është ndezur nga algoritmi, por nga njerëzit.
Është e padiskutueshme që çdo protestë mbart një mesazh, cilado qoftë arsyeja apo ata që dalin në protestë. Protesta mbart mesazhe dhe patjetër që detyra ime është t’i kuptoj sa më mirë ato. Po ashtu, detyra ime është të kuptoj edhe më shumë se kaq, të kuptoj organizatorët, çfarë ka më shumë sesa ajo që duket dhe të kem një pamje sa më të qartë të të gjithë spektrit të çështjeve apo të forcave të angazhuara në protestë.
Ashtu si algoritmi nuk është organizatori i një proteste, ashtu edhe diçka tjetër që unë e kam vënë në dukje: forcat e përfshira që janë armiqësore apo dashakeqe me Shqipërinë dhe që janë përfshirë fuqishëm, nuk janë as ato organizatorët ose arsyeja themelore pse njerëzit kanë dalë në protestë.
Por të gjitha së bashku duhen kuptuar dhe secili duhet të kuptojë se ku mbaron motivi i sinqertë i protestës, si adresohet ai motiv i sinqertë, cilat janë zgjidhjet për shqetësimet dhe ku fillon manipulimi, pjesa kur ti, si njeri i sinqertë në protestë, kthehesh në një vegël, pa dijeninë tënde, e forcave të tjera.
Ndarja bëhet te pikat ku ty të hapet një rrugë për ta adresuar qëllimin ose nuk të hapet. Është e rëndësishme të ndahet pjesa e shkaqeve dhe problematikave që kërkojnë adresim nga pjesa që kërkon informim.
Siç mund ta keni vënë re, protesta nisi me Zvërnecin dhe sot Zvërneci është harruar. Sepse, besoj unë, shumë shpejt u kuptua që realiteti i fakteve ishte i ndryshëm nga ai që njerëzit kishin perceptuar përmes kanaleve të dezinformimit.
Realiteti i fakteve nuk është që qeveria shiti atdheun, shiti Sazanin apo shiti Zvërnecin. Realiteti është krejt i kundërt. Aty ku qeveria ka përgjegjësi si përfaqësuese e interesit publik dhe administratore e pronës publike, jo vetëm që nuk ka bërë shitje, por edhe tani që flasim, për shkak se qeveria ka pasur një pozicion të qartë në negociata me palën tjetër, që Shqipëria duhet të jetë pjesë si pronare në këtë sipërmarrje, ne nuk kemi ende një marrëveshje”, tha Rama.
