Përfaqësuesit e bizneseve të transportit shprehën shqetësimet e tyre gjatë një takimi me Kryeministrin Edi Rama, i cili u zhvillua në Portin e Durrësit.
Gjatë diskutimeve, një biznesmen propozoi hapjen e një shkolle profesionale për shoferë, duke sugjeruar se kjo mund të realizohej në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Portin. “Ne jemi të gatshëm të ndërtojmë një bashkëpunim për të krijuar një shkollë profesionale, ku shoferët do të trajnohen për proceset speciale që i duhen,” tha Rama.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga biznesmenët ishte tarifa që duhet paguar për çdo kamion që futet në port, si dhe kohëzgjatja e pamjaftueshme për imbarkimin e automjeteve në traget. Ata theksuan se, për shkak të fluksit të madh të automjeteve që duhen futur në traget, 3 orë për imbarkim janë shumë të pakta.
Rama e komentoi situatën duke theksuar se infrastruktura e portit funksionon në bazë të tarifave që mbledh, si çdo port tjetër në botë. “Po na çove në Bari, këtu është më mirë se në Bari,” tha ai, duke shtuar se edhe pse kishte parë portet e Barit dhe Ankonës, ai ishte dakord me shqetësimin lidhur me policinë. Ai theksoi se roli i policisë ishte që të garantonte funksionimin pa ndërprerje të operacioneve, dhe koordinimi i njësive ishte një problem që duhej trajtuar.
Sipas tij, pa prani të biznesmenëve, nuk do të kishte nevojë as për polici dhe as për doganë, pasi ata janë këtu për të siguruar që operacionet të funksionojnë pa pengesa.
