Kreu i shëndetësisë, “shuplakë” punonjësve të Shëndetësisë: Hiqni dorë nga burokracitë
Lorina Mixha
Mjekët e qendrave shëndetësore dhe poliklinikave, të njohur si bluzat e bardha të parësorit duhet të forcojnë punën për të qenë në rregull, por edhe për të mos rrezikuar “postin”.
Dje, në analizën e Autoritetit Shëndetësor Rajonal, kreu i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, ka deklaruar se në Ministrinë e Shëndetësisë kanë mbërritur ankesa lidhur me ofrimin e kujdesit shëndetësor në qendra shëndetësore e poliklinika dhe kryesisht vërejtjet e qytetarëve lidhen me etikën e komunikimit të mjekëve me pacientët. Po ashtu, një pjesë e vërejtjeve lidhen me sorollatje e burokracira për të marrë dokumentacionin e nevojshëm për pajisje me patentë apo hapje të librezës shëndetësore. Ndër të tjera, tha ministri vërejtjet janë edhe për sa i takon dembelizmit të mjekëve për të shkuar për vizitë pranë familjeve, si në rastin e lindjeve të foshnjave apo për të ofruar kujdes shëndetësor për personat që nuk mund të lëvizin dot nga shtëpia.
“Pika e parë ku doja të ndaloja është etika e komunikimit me qytetarin. Mënyra e komunikimit me qytetarin reflekton mbi të gjithë sistemin shëndetësor në vend. Ju keni zgjedhur një profesion fisnik, dhe ky profesion kërkon një etikë shembullore komunikimi, pune dhe profesionalizmi.
Së dyti, doja të përmendja funksionimin e recepsionit dhe zbatueshmërinë e sistemit të referimit.
Dua t’ju nxis të luftoni sorollatjen e dokumenteve mjekësore, për efekt procedurash të ndryshme, siç janë patentat etj.
Është vënë re një defekt te vizitat në shtëpi, për të porsalindurit dhe të sëmurët jo-mobil”, tha ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo. Sipas tij, me gjithë aplikimin e mirë të standardeve të laboratorëve klinikë dhe biokimikë, përsëri nuk është arritur të drejtohet siç duhet fluksi i pacientëve.
Ju nxis që pajisjet mjekësore në poliklinika të mirëmbahen, dhe të tregohet kujdes për evadimin e mbetjeve mjekësore.
“Në vitet e fundit ka pasur shumë investime në urgjenca, si edhe trajnime të vazhdueshme për personelin mjekësor, por mbetet për t’u përmirësuar dispeçeria (shpërndarja) e ambulancave që të gjenden në kohë të shkurtër në rastet urgjente.
Nuk duhet harruar asnjëherë që Tirana nuk është vetëm qyteti, por edhe fshati”, sqaroi kreu i Shëndetësisë.
Një tjetër vërejtje lidhet me fluorizimin e dhëmbëve të fëmijëve në shkolla. Sipas kreut të Shëndetësisë është vënë re, gjithashtu, se nuk janë aplikuar në shkallë të gjerë modelet dhe programet e miratuara para një viti për shërbimin shëndetësor në shkolla. Në lidhje me shërbimin stomatologjik publik, me gjithë punën e mirë që është bërë, rekomandohet zgjerimi i aplikimit të llakut të fluorit, pra fluorizimit profilaktik të dhëmbëve në moshën fëminore.