Media italiane “L’Indipendente” ka publikuar një analizë mbi projektin e resortit luksoz në Tavolara të Sardenjës, duke e vendosur atë në të njëjtin kontekst me protestat e zhvilluara në Shqipëri kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura bregdetare.

Qeveria italiane ka miratuar ndërtimin e një resorti luksoz në një zonë të mbrojtur në Tavolara të Sardenjës, pavarësisht kundërshtimeve të forta nga autoritetet rajonale dhe institucionet mjedisore. Projekti parashikon një kompleks të madh turistik (hotel 5 yje, vila, marina, golf, helikopterë) pranë një zone detare të mbrojtur. Vendimi është marrë duke përdorur një mekanizëm të thjeshtimit administrativ (ZES), që ka anashkaluar disa mendime negative institucionale.

Artikulli i plotë i medias italiane:

Qeveria italiane ka miratuar ndërtimin e një resorti luksoz në një nga zonat më të mbrojtura të bregdetit të Sardenjës, në Gjirin Tavolara, pavarësisht kundërshtimeve të forta nga institucionet rajonale dhe autoritetet mjedisore. Vendimi ka hapur një përplasje të re politike dhe ligjore mbi mënyrën se si trajtohen projektet e mëdha turistike në territore të mbrojtura.

Më 4 qershor, Këshilli i Ministrave hodhi poshtë kundërshtimet e Rajonit Autonom të Sardenjës dhe Ministrisë së Kulturës, duke riaktivizuar autorizimin e lëshuar më parë nga Struktura e Misionit ZES për projektin në Cala Finanza, në komunën Loiri Porto San Paolo.

Projekti parashikon një kompleks të gjerë turistik luksoz, që përfshin hotel me pesë yje, vila, restorante, marinë, fushë helikopterësh dhe fushë golfi, në një zonë përballë Zonës së Mbrojtur Detare Tavolara–Punta Coda Cavallo. Sipas dokumenteve të projektit, ndërhyrja prek rreth 50 hektarë zonë detare dhe sipërfaqe tokësore, duke ngritur shqetësime serioze për ndikimin në ekosistemin e zonës së mbrojtur. Procesi i miratimit është shoqëruar me kundërshtime të forta institucionale. Rajoni i Sardenjës, Korpusi Pyjor dhe autoritetet lokale kanë dhënë mendime kryesisht negative, duke paralajmëruar rrezik për dëmtim të peizazhit dhe shkelje të rregullave të mbrojtjes territoriale.

Pavarësisht këtyre qëndrimeve, Struktura e Misionit ZES ka lëshuar autorizimin e vetëm, ndërsa më pas Këshilli i Ministrave ka rrëzuar kundërshtimet dhe ka riaktivizuar lejen. Ndërkohë, organizatat mjedisore raportojnë se në zonë ka nisur tashmë pastrimi i vegjetacionit, ndërsa çështja është bërë objekt hetimesh dhe përplasjeje ligjore në gjykatat administrative. Projekti po zhvillohet nga grupi brazilian JHSF, i njohur për investime në sektorin e luksit ndërkombëtar, ndërsa përfundimi i resortit pritet në vitin 2028.

Mekanizmi i përdorur, Zona e Vetme Ekonomike Speciale (ZES), lejon një autorizim të vetëm që zëvendëson lejet e tjera, por kritikët thonë se po përdoret për të anashkaluar mbrojtjen mjedisore dhe kompetencat rajonale. Ambientalistët paralajmërojnë se rasti Tavolara mund të shërbejë si precedent për zhvillime të ngjashme në Mesdhe, në një kohë kur debatet për ndërtimet në zona të mbrojtura janë intensifikuar edhe në vende të tjera të rajonit.

E njëjta logjikë, i njëjti skenar, por protestat, të cilat mbrëmë panë mijëra njerëz të dilnin në rrugë për të gjashtëmbëdhjetën ditë radhazi, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë antiqeveritare që kërkon dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama./ Top Channel