Lezhë


Ka hyrë në ditën e tretë greva e urisë e të burgosurve të Burgut të Shënkollit. Ndërsa numri i të burgosurve në këtë burg vazhdon të jetë mbi 600 persona, ata vijojnë të kenë të njëjtat qëndrime, ndërsa askush nga ana e drejtuesve të këtij burgu, nuk pranon të prononcohet për kërkesat e tyre. Sipas burimeve brenda Burgut të Shënkollit, kërkesat e tyre tashmë janë bërë me dije. Ata i kërkojnë Ministrisë së Drejtësisë të rishikojë kriteret e amnistisë për të burgosurit dhe të paraburgosurit që akoma nuk kanë marrë vendimin e gjykatës, por që janë arrestuar para amnistisë, për vepra penale të ndryshme. Po kështu, ata kërkojnë që të ketë një ulje dënimi për të gjithë të burgosurit, duke qenë se është 100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Gjithashtu, ata kërkojnë përmirësimin e kushteve të qëndrimit të tyre në burg, të trajtimit të tyre ushqimor, si dhe furnizimin me energji elektrike. Gjatë tri ditëve të protestës së tyre, të burgosurit janë kontaktuar nga drejtuesit e këtij burgu, duke nisur nga drejtori Valentin Miri e më pas vartësit e tij, por ata nuk kanë mundur t’i bindin të burgosurit e këtij burgu, për të hequr dorë nga vendimi i tyre. “Situata është e tensionuar në këtë burg”, bëjnë të ditur burime të informacionit, pasi ka pasur edhe të burgosur që kanë dashur të ndërpresin grevën e urisë, por që kanë hasur në reagimet e bashkëvuajtësve të tyre. A. B.