Një hetim i medias britanike Sky News ka zbuluar detaje mbi një skemë të dyshuar të kontrabandës së emigrantëve drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Një kontrabandist shqiptar garanton se organizon kalimin e paligjshëm të personave përmes Tunelit të Kanalit kundrejt pagesës prej rreth 24 mijë paundësh.
Sipas investigimit, emigrantët transportohen deri në Londër në sediljen e pasagjerit të një automjeti luksoz tip Range Rover, me vlerë rreth 100 mijë paund, ndërsa për të kaluar kontrollet kufitare përdoren pasaporta të falsifikuara.
Burime të Ministrisë së Brendshme britanike thanë për Sky News se përdorimi i Tunelit të Kanalit nga rrjetet e kontrabandës nuk është një fenomen i ri. Sipas tyre, ka pasur raste kur emigrantë kanë pranuar se kanë kaluar kontrollet kufitare duke përdorur dokumente false, pa u zbuluar nga autoritetet.

Një ish-oficer i Forcës Kufitare britanike deklaroi se fluksi i lartë i udhëtarëve, mungesa e personelit dhe nevoja për investime të mëtejshme në teknologji e bëjnë më të vështirë identifikimin e dokumenteve të falsifikuara. Ai shtoi se grupet kriminale po përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara, përfshirë dokumente autentike të vjedhura ose pasaporta false që i ngjajnë shumë atyre origjinale.
Hetimi ngre gjithashtu shqetësime për fatin e emigrantëve që hyjnë ilegalisht në Britani. Organizatat që luftojnë skllavërinë moderne paralajmërojnë se shumë prej tyre përfundojnë në rrjetet kriminale për të shlyer borxhet ndaj kontrabandistëve, duke u detyruar të punojnë në kultivimin ose shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Sipas organizatës Unseen, rastet e shfrytëzimit për shkak të borxheve janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa viktimat shpesh mbeten të bllokuara në një cikël të vazhdueshëm shfrytëzimi, pasi detyrimet financiare ndaj trafikantëve rriten vazhdimisht.
Eksperti i sigurisë, Dr. Andi Hoxhaj, vlerësoi se pas Brexit-it është bërë më i vështirë shkëmbimi i informacionit mes autoriteteve britanike dhe atyre evropiane, duke krijuar, sipas tij, më shumë mundësi veprimi për grupet e krimit të organizuar.
Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme britanike këmbëngul se kontrollet në Tunelin e Kanalit mbeten ndër më të avancuarat në botë. Sipas saj, rastet e hyrjeve të paligjshme përmes kësaj rruge janë të kufizuara, ndërsa kërkesat për azil nga persona që kanë hyrë ilegalisht me automjete ose kamionë kanë rënë me 25% gjatë vitit të fundit. Autoritetet britanike shtojnë se mbi 70 mijë persona pa të drejtë qëndrimi janë larguar nga Mbretëria e Bashkuar që nga zgjedhjet e fundit.

