Me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor më 8 shtator, të dënuarit në burgun e Peqinit kanë dërguar kartolina urimi për fëmijët e tyre.
Ky gjest i veçantë solli emocione të forta, duke treguar se dashuria prindërore mbetet e pandikuar edhe pas hekurave. Në mesazhet e tyre, të dënuarit shprehnin krenarinë dhe përkujdesjen për fëmijët, duke i inkurajuar që të përqafojnë dijen dhe të ecin përpara me kurajë.
“Gëzuar ditën e parë të shkollës, zemra e babit! Sot fillon një udhëtim i ri, plot dije, miq të rinj dhe aventura të bukura. Ji kurajoz, dëgjo me zemër dhe mos harro që babi është gjithmonë këtu për të të mbështetur e për të të dashur pa fund,” shkruhej në disa prej kartolinave.
Ky aksion simbolik shërben si një urë e ngrohtë lidhjeje mes prindërve dhe fëmijëve, pavarësisht distancës së vështirë që i ndan.




