Motra e Fred Lamaj, policit që dhunoi babë e bir në Fier, ka dalë me një deklaratë publike për të sqaruar akuzat e ditëve të fundit.
Ajo theksoi se vëllai i saj nuk ka qenë pjesë e asnjë dhune apo konflikti dhe se ajo ka depozituar një kallëzim penal ndaj Mecajt, pasi e ka ngacmuar në mënyrë të vazhdueshme. Në një deklaratë të bërë për media, motra e Lamajt sqaron se Altin Mecaj ka shpifur për të paraqitur vëllain e saj si agresor dhe dhunues. Ajo thekson se komunikimi ka qenë i njëanshëm përmes mesazheve të vazhdueshme në rrjete sociale, të cilat përbëjnë ngacmim dhe përndjekje.
Motra e policit, tha gjithashtu se pretendimet për dhunë nuk kanë lidhje me familjen e saj dhe nuk janë shkaktuar nga vëllai apo persona të afërt. Ndërkohë, ajo ka publikuar edhe mesazhet në Facebook, ku shihet se Meçaj i shkruante vazhdimisht dhe i shprehte dashurinë.
“Kam qenë e detyruar të vij nga Italia, ku jetoj, për të depozituar kallëzim penal për përndjekje ndaj këtij shtetasi, pasi veprimet e tij kanë sjellë pasoja të rënda në jetën time dhe kanë prekur edhe vëllain tim. Kjo është hera e parë që flas publikisht dhe në media dhe po e bëj vetëm sepse ndihem e detyruar të sqaroj disa të pavërteta që po përsëriten prej ditësh.
Unë jam motra e Fredi Lamaj dhe dua të sqaroj se akuzat e shtetasit Altin Mecaj, sikur vëllai im e ka dhunuar, nuk janë të vërteta. Fredi Lamaj nuk ka marrë pjesë në asnjë rrahje apo konflikt, dhe kjo mund të faktohet. Po flas sepse prej më shumë se 6–7 ditësh ky shtetas po del vazhdimisht në media, duke dhënë deklarata të pavërteta dhe duke u paraqitur padrejtësisht si viktimë.
Në mënyrë të veçantë, ai ka deklaruar publikisht se ndaj meje ka bërë vetëm një koment në Facebook, si një kompliment, gjë që nuk është e vërtetë. Në realitet, unë kam qenë subjekt i mesazheve të shumta private, të vazhdueshme dhe insistuese, të cilat përbëjnë ngacmim dhe përndjekje.
Dua të theksoj qartë se nga ana ime nuk ka pasur asnjë përgjigje ndaj këtyre mesazheve. Nuk kam komunikuar dhe nuk kam pasur mundësi t’i kthej as përgjigjen e merituar, pasi Facebook nuk më lejonte t’i shkruaja, çka e bën edhe më të qartë faktin se komunikimi ka qenë i njëanshëm dhe i padëshiruar. Këto sjellje më kanë shkaktuar shqetësime serioze emocionale dhe familjare, si për mua, ashtu edhe për familjen time.
Për këtë arsye, kam ardhur ditën e djeshme nga Italia, ku jetoj, për të depozituar kallëzim penal për përndjekje ndaj këtij shtetasi, pasi veprimet e tij kanë sjellë pasoja të rënda në jetën time familjare dhe kanë prekur edhe vëllain tim. Po ashtu, nga informacione që na janë komunikuar nga persona të ndryshëm, rezulton se këto sjellje nuk janë të izoluara, por të përsëritura edhe ndaj vajzave të tjera.
Sa i përket dhunës që ky shtetas pretendon se ka pësuar së fundmi, kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen tonë, dhe sipas dijenisë sonë nuk është shkaktuar nga vëllai im apo persona të afërt me ne, por nga individë të tjerë për të cilët ne nuk kemi dijeni. Nuk kam pasur asnjë interes të dal në media, por nuk mund të lejoj që gënjeshtrat e përsëritura të dëmtojnë dinjitetin e një personi të pafajshëm dhe të shtrembërojnë të vërtetën.
Kërkoj vetëm që kjo çështje të trajtohet me qetësi, paanshmëri dhe verifikim faktesh, duke respektuar ligjin dhe dinjitetin njerëzor. Faleminderit për mirëkuptimin. Me respekt, motra e Fredi Lamaj”





