Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Rinasi për hetimin e SPAK ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si janë administruar dhe bërë publike të dhënat e dosjes hetimore.

Rama e konsideroi “ekstreme” masën e sigurisë “arrest në shtëpi” të vendosur ndaj Hysenit, por theksoi se vlerësimi i vendimeve të Prokurorisë dhe kundërshtimi i masave kufizuese të lirisë duhet të bëhen vetëm përmes rrugëve gjyqësore.

Sipas kryeministrit, ai nuk ka ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjë në punën e institucioneve të drejtësisë, ndërsa çdo akuzë e ngritur duhet të hetohet dhe të marrë përgjigje deri në fund.

Megjithatë, Rama tha se respektimi i pavarësisë së drejtësisë nuk e përjashton mundësinë për të ngritur shqetësime kur në lojë janë parime që lidhen me funksionimin e shtetit.

“Çdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës, për cilindo qoftë që s’ka imunitet parlamentar, kundërshtohet vetëm në gjykatë dhe jo me opinion e krye as në foltoren e Kryeministrit”, deklaroi ai.

Kreu i qeverisë e zhvendosi më pas vëmendjen te ekspozimi publik i materialeve të hetimit. Sipas tij, mënyra e administrimit të dosjes krijoi potencialin për dëmtimin e një institucioni me ndjeshmëri të veçantë, duke iu referuar SHISH-it.

Rama pretendoi se informacione nga dosja kishin nisur të qarkullonin gjerësisht në rrjetet sociale përpara se gjykata të vendoste kufizimin e publikimit të tyre.

“Në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale, ka një fakt tjetër parimor, shtetëror, që nuk mund të anashkalohet sikur s’ka ndodhur. Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë u ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, që mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht”, u shpreh Rama.

Kryeministri këmbënguli se shqetësimi i ngritur prej tij nuk lidhet me vlerësimin e fajësisë apo pafajësisë së ish-drejtoreshës së SHISH, por me pasojat që, sipas tij, mund të sjellë publikimi i materialeve sensitive të një hetimi që prek një institucion të sigurisë kombëtare.