Një histori e rëndë ka tërhequr vëmendjen e mediave amerikane dhe rrjeteve sociale pas ekzekutimit të 37-vjeçarit James Broadnax në shtetin e Teksasit, ku pranë tij në momentet e fundit ndodhej edhe bashkëshortja, e raportuar nga mediat si shqiptare nga Kosova.
Sipas raportimeve të mediave në SHBA, mes tyre edhe The Dallas Morning News, Broadnax u ekzekutua me injeksion vdekjeprurës pasi ishte dënuar për vrasjen e dy producentëve të muzikës kristiane në Dallas në vitin 2008.
Në sallën e dëshmitarëve ishte e pranishme edhe bashkëshortja e tij, Tiana Krasniqi, e cila sipas raportimeve shpërtheu në lot gjatë procesit dhe i drejtohej vazhdimisht me fjalët “Të dua”, ndërsa e shihte përmes xhamit të sigurisë.
Pas ekzekutimit, Krasniqi reagoi publikisht në rrjetet sociale, duke akuzuar autoritetet amerikane për mënyrën se si u krye procedura. Në një postim në TikTok, ajo shkroi se “i vranë burrin”, ndërsa pretendoi se ekzekutimi kishte qenë traumatik dhe i dhimbshëm.
Mediat amerikane raportojnë se çifti ishte martuar vetëm pak ditë para ekzekutimit, brenda burgut Allan B. Polunsky Unit në Teksas. Ata ishin njohur përmes korrespondencës me letra gjatë vitit 2024.
Krasniqi, e cila thuhet se ka studiuar drejtësi dhe të drejtat ndërkombëtare të njeriut në Londër, ishte angazhuar në studime mbi diskriminimin racor dhe sistemin penal amerikan.
Ndërkohë, çështja e Broadnax kishte ngjallur debat edhe për shkak se një i afërm i tij kishte pretenduar më vonë autorësinë e krimit. Megjithatë, autoritetet amerikane nuk e konsideruan deklaratën të mjaftueshme për të pezulluar dënimin.
Rasti ka rikthyer sërish diskutimet në SHBA mbi dënimin me vdekje, një temë që vazhdon të mbetet thellësisht përçarëse në opinionin publik amerikan.
