Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë nga Shefi i Shërbimit Zjarrfikës të Maliqit, Sadik Halili, lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e së dielës, ku humbën jetën Merjeme Azizllari dhe djali i saj 14-vjeçar, Luka Azizllari, ndërsa vajza e mitur 6-vjeçare ndodhet në gjendje kritike në QSUT.

Në një intervistë për emisionin “Review” në Euronews Albania, Halili tha se dy fëmijët janë gjetur në oborrin e banesës, ndërsa nëna e tyre është gjetur e shtrirë pranë derës së kuzhinës. Sipas tij, shenja djegieje janë konstatuar vetëm te vajza 6-vjeçare, ndërsa nëna dhe djali dyshohet të kenë ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë nga tymi.

Zjarrfikësit kanë mbërritur në vendngjarje rreth orës 07:00 të mëngjesit, pas njoftimit për zjarr në një banesë pranë qendrës së qytetit të Maliqit.

“I kemi gjetur pa shenja jete djalin 14-vjeçar dhe zonjën e shtëpisë, te asfiksuar nga tymi. Djegiet u konstatuan te fëmija i dytë, kishte djegie në fytyre e në pjesë të ndryshme të trupit. Të dy fëmijët i kemi gjetur në oborrin e banesës, nënën e tyre e kemi gjetur në derën e kuzhinës të asfiksuar nga tymi. Nuk kishte djegie, vdekja erdhi nga asfiksia nga tymi.

Me marrjen e njoftimit ne kemi mbërritur për 2 minuta. Distanca ishte e shkurtër, duke parë djegiet kur kemi arritur në nuk kishte zjarr kishte mbaruar. Ne kemi bërë evakuimin e fëmijës, të nënës së tyre dhe i përgatitem për spital”, tha ai.