Avokati Tomë Gashi bëri fajtor Sali Berishën për humbjen e thellë të Partisë Demokratike dhe opozitës në këto zgjedhje.
Në një lidhje Skype me Top News, Gashi tha se Berisha e përdori PD për të mbrojtur veten dhe se nëse ai vazhdon në drejtimin e opozitës, Rama do të udhëheqë për shumë vite.
“Faji kryesor është që opozitën e udhëheq Sali Berisha, dhe në prizmin tim për sa kohë është ai, Rama mund të fitojë mandate pa kufij. Nuk ka mundur të ofrojë diçka të re, nëse do të kishte qenë dikush tjetër në vend të tij, PD do ishte shumë afër në mos të fitonte bashkë me aleatët. Është dobësuar shumë PD. Kjo situatë ka ndikuar te votuesit. Shqipëria është zhvilluar dhe është shtet i qetë, i sigurtë me 12 mln turistë në vit, është e avancuar me PS dhe Ramën, kështu shqiptarët kanë parë rezultatet. Kanë preferuar të udhëhiqen nga Rama për këto rezultate. Tiranën nëse e sheh, duket një metropol i zhvilluar, pushteti vendor është ndërlidhur me pushtetin qëndror. Realiteti është që Shqipëria është përparuar me Ramën.
Tani me ekzistencën e SPAK, janë ulur dhe politikanët më të lartë, janë më të kujdesshëm tani.
Do duhet të përsëritet ajo që Berisha bëri vite më parë, të japë dorëheqjen. Nëse dikush do ta eliminojë nga skena politike Ramën, duhet të eliminojë fillimisht Berishën. Jo për moshën, por se në aspektin njerëzor dhe politik është rikthyer në politikë për të mbrojtur veten dhe familjen e tij pasi janë në shënjestrën e SPAK. Kur thonë që interesi primar është interesi publik, është shprehje e bukur kur e thotë Papa, por këtyre i vret më shumë vetja. Duhet të gjehet një lider tjetër për opozitën. Nëse vazhdohet me Berishën, Rama do jetë në pushtet pak më shumë se Enver Hoxha,” tha Gashi.