Kryeministri Edi Rama do t’i bashkohet tryezës të Procesit të Berlinit të enjten që do të mbahet në Budva të Malit të Zi.
Pjesëmarrja iu konfirmua gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu prej burimeve qeveritare. Zyra e shtypit e qeverisë të Malit të Zi thotë se “të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Mal të Zi më 22 tetor, nën mikpritjen e Kryeministrit Milojko Spajić.
Ndërkohë të enjten e kësaj jave është njoftuar mbajtja e seancës plenare në Kuvend, ndërsa ajo e një jave më parë u anulua për shkak të situatës me protestat e studentëve.
Takimi i të gjithë liderëve të rajonit i jep një shtysë të rëndësishme bashkëpunimit rajonal dhe krijon mundësi për avancimin e nismave të përbashkëta, së bashku me partnerët evropianë, të cilat kontribuojnë në integrimin ekonomik dhe në anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Si vend pritës i Samitit, Mali i Zi synon të nxisë dialogun dhe bashkëpunimin, të përqendruar në arritjen e rezultateve konkrete për qytetarët dhe ekonomitë e rajonit. Pjesëmarrja e të gjithë liderëve rajonalë konfirmon rëndësinë e Procesit të Berlinit si një platformë për forcimin e besimit, përmirësimin e ndërlidhjes dhe avancimin e një perspektive të përbashkët evropiane.
Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor (BP) i nisur në gusht 2014, ka në themel të tij bashkëpunimin rajonal dhe mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt hyrjes në BE. Krahas gjashtë vendeve të BP (Bosnja – Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria) në këtë proces marrin pjesë BE dhe 10 vende anëtare të tij, nën drejtimin e Gjermanisë.
Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
Ai filloi dhe u prezantua në 28 Gusht 2014, nga Kancelarja Gjermane Angela Merkel. Qëllimet e Procesit u përshkruan në Deklaratën Përfundimtare nga Kryesia Gjerman: “Të bëjmë progres shtesë real në procesin e reformës, në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura bilaterale dhe të brendshme dhe në arritjen e pajtimit brenda dhe midis shoqërive në rajon”, si dhe të rrisim “bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe të hedhim bazat për një rritje të qëndrueshme”.
