Policia Kufitare ka bllokuar një motorr uji në Sarandë dhe ka gjobitur drejtuesin tij me 530 mijë lekë pasi u konstatua se kishte hyrë në perimetrin e sigurisë të pushuesve dhe nuk dispononte dokumentacionin e detyrueshëm në bord.

Gjatë kontrolleve në vijën bregdetare, efektivët konstatuan mjetin duke lundruar në zonën ku po laheshin pushuesit. Nga verifikimet rezultoi gjithashtu se mjeti nuk ishte regjistruar brenda afateve të parashikuara nga ligji. Pas përfundimit të procedurave administrative, mjeti u shoqërua dhe u bllokua në portin e Sarandës, ndërsa ndaj drejtuesit u vendosën gjoba në vlerën totale 530 mijë lekë të rinj.

Njoftimi i plotë i Policisë Kufitare:

Shkeli perimetrin e sigurisë dhe nuk dispononte dokumentacionin e detyrueshëm në bord, Policia Kufitare bllokon mjetin lundrues dhe ndëshkon poseduesin me masë administrative 530.000 lekë të rinj. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.

Gjatë patrullimit, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues që ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre. Nga verifikimet e kryera rezultoi se mjeti nuk ishte regjistruar brenda afateve të parashikuara nga ligji, si dhe se në bord mungonte dokumentacioni i detyrueshëm.

Në përfundim të veprimeve administrative, mjeti lundrues u shoqërua dhe u bllokua në portin e Sarandës, ndërsa ndaj poseduesit u vendosën masa administrative në vlerën totale 530.000 lekë të rinj, në përputhje me shkeljet e konstatuara. Policia e Shtetit apelon ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to, të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara për pushuesit.