Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me gatishmërinë e Shqipërisë për të ndihmuar vendet europiane në përballimin e zjarreve.

Në një postim në rrjetet sociale, Salianji u shpreh se situata në vend nuk lejon, sipas tij, deklarata të tilla, duke argumentuar se shërbimi zjarrfikës në Shqipëri përballet me mungesë mjetesh dhe pajisjesh për të përballuar emergjencat.

Sipas tij, ndërsa qeveria flet për mbështetje ndaj vendeve partnere si Franca dhe Spanja, strukturat vendase vazhdojnë të përballen me vështirësi në terren. Ai pretendon se investimet në shërbimet publike dhe kapacitetet për menaxhimin e emergjencave kanë qenë të pamjaftueshme.

REAGIMI
Nuk është për të qeshur, por për të vënë duart në kokë. Njeriu që i ka vënë zjarrin Shqipërisë me keqqeverisje, mungesë investimesh, braktisje të shërbimeve publike, korrupsion dhe kriminalizim të administratës sot del e shitet si shpëtimtari i Europës.
Ndërsa zjarrfikësit shqiptarë lihen pa mjete, pa pajisje dhe në shumë raste detyrohen të luftojnë flakët me degë pemësh ose të presin derisa të bjerë shiu. Solidaritet me vendet mike por Edi Rama bën propagandë duke u vetëofruar si “shpëtimtar” për Francën dhe Spanjën. E ka degraduar qeverisjen e tij me pantallona nëpër këmbë e tani tallet me kapacitetet për të shpëtuar Evropén 🤦🏻‍♂️
Jep dorëheqjen që Shqipëria të ketë kapacitetet për të mbrojtur qytetarët, pyjet dhe pronat e tyre!