Partia Demokratike ka njoftuar se të hënën, më 17 nëntor, do të zhvillojë një protestë përpara kryeministrisë.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, kryetari i PD-së, Sali Berisha, dha detaje mbi planin e protestës. Ai njoftoi se përpara kryeministrisë do të vendoset një foltore, ku një herë në javë deputetët dhe qytetarët do të kenë mundësi të flasin dhe të shprehin shqetësimet e tyre.

“Protesta e ditës së hënë ka këtë karakter, që të sqaroj çdo qytetar. Ne hapim aty një foltore, një parlament. Domethënë, ju keni parë se në 10 seanca, opozita është lejuar të debatojë vetëm në 1 seancë, si kurrë në ndonjë vend pluralist, apo në historinë e këtij vendi.

Atëherë ne para këtij bllokimi të plotë ne hapim foltoren parlamentare qytetare para kryeministrisë. Një herë në javë ku deputetë dhe qytetarë do thonë zërin e tyre.

Pra, ky është qëllimi i kësaj proteste.

Protesta të tjera po projektohen dhe do organizohen, por ato do përgatiten dhe thirren në kohën më të përshtatshme”, u shpreh Berisha.