Dy deputetët e PD-së, Gazment Bardhi dhe Albana Vokshi, janë përplasur gjatë seancës plenare me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshin për Gardën, që sipas tyre pengon deputetët të marrin shërbimet e duhura në Kuvend.

Sipas Vokshit, ajo nuk ishte lejuar të merrte informacione në sekretari për shkak të Gardës që e pengonte, shqetësim që e ndau edhe Bardhi. Nga ana tjetër, Peleshi u shpreh se ata kanë lirinë të shkojnë në çdo cep të Kuvendit dhe kjo nuk qëndron.

Pjesë nga debati: 

Vokshi: Pak më parë tentova të shkoja te sekretaria e seancës për të bërë një pyetje, por nuk u lejova se aty keni vënë një punonjës të Gardës. Ne nuk lejohemi që të shkojmë as te sekretaria të flasim për ndonjë projektligj. Nga kush ruheni ju, kryetar, nga ne? Kur ju e trajtoni deputetin e opozitës si armik. Ku e keni parë ju një seancë plenare të tillë? Nxirrini jashtë gardistët. Ne nuk kemi punë me ju.

Peleshi: Zonja Vokshi, unë nuk merrem fare me çështjet e sigurisë dhe me Gardën. Unë nuk kam asnjë merak për vete. Nuk janë fare procedura që kalojnë nga kryetari i Kuvendit.

Bardhi: Shqetësimi që ngriti Vokshi është një shqetësim legjitim, është e paprecedentë. Kjo i ka ndodhur edhe kryetarit të grupit parlamentar të PD, që ai e ka për detyrë të komunikojë me sekretarinë. Kjo është në mënyrë të shprehur në rregullore që është detyra juaj. T’i vendosësh deputetëve gardistë dhe punonjës sigurie për të lëvizur brenda sallës së seancave, është pa asnjë dyshim intimidim. Ju kërkoj zyrtarisht të merrni masa t’i largoni punonjësit. Ju nuk keni asnjë të drejtë t’i rrethoni deputetët me punonjës garde.

Aq më pak të pengoni deputetët të marrin shërbime nga sekretaria. Është e paimagjinueshme, kjo nuk ndodh në asnjë Kuvend. Ku ndodh kjo përveç Koresë së Veriut? Më thoni një vend të botës ku ndodh kjo. Është detyra juaj sipas rregullores. Ju lutem, ju kërkoj të largoni punonjësit e Gardës që kanë rrethuar deputetët dhe nuk i lejojnë të komunikojnë me sekretarinë.

Peleshi: Edhe me moralin tuaj do mësojmë. Nuk ka asnjë urdhër nga kryetari i Kuvendit sa i përket sigurisë. Zonja Vokshi, unë si kryetar nuk kam asnjë urdhër apo kërkesë që Garda të mos lejojë deputetët. Nuk ka asnjë pengesë për ju. Vazhdoni punën qetësisht. Le ta dëgjojë edhe Garda: asnjë deputet nuk duhet të pengohet. Mos krijoni stuhi në gotë. Mund të shkoni në çdo cep të Kuvendit dhe të merrni shërbime.

Top Channel