Një student nga Indian Institute of Technology Hyderabad përdori një qasje të pazakontë për të tërhequr vëmendjen e një drejtuesi kompanie amerikane: ai shkroi në subjektin e emailit një fjali alarmante e tërësisht të rreme për t’i siguruar vetes që mesazhi të mos injorohej.

Në email ai shkroi: “Emri juaj është në dosjet e Epstein”, duke iu referuar dokumenteve që u bënë publike nga autoritetet amerikane dhe që përmendin figura të ndryshme të lidhura me financuesin e dënuar për abuzime seksuale. Megjithatë, emri i drejtorit të kompanisë nuk figuron në asnjë prej ato dosjesh.

Mesazhi mbërriti te Harshdeep Rapal, bashkëthemelues i një kompanie me seli në Wilmington. I alarmuar nga titulli, ai e hapi menjëherë emailin dhe zbuloi se bëhej fjalë për një “shaka”. Në rreshtat e parë, studenti pranoi se e kishte përdorur këtë formulim vetëm për t’i shtyrë të hapte mesazhin, dhe më pas kërkonte një intervistë pune duke bashkëngjitur CV-në e tij.

Ngjarja u raportua nga mediat indiane, të cilat vlerësuan qasjen si të diskutueshme.

Rapal reagoi në rrjetet sociale, duke e cilësuar mënyrën e kontaktit të papërshtatshme dhe joprofesionale. Ai theksoi se në botën e biznesit komunikimi i parë duhet të reflektojë seriozitet dhe profesionalizëm. Sipas tij, edhe pse presioni për të gjetur punë mund të jetë i madh, përdorimi i metodave të tilla nuk është mënyra e duhur për të fituar një përgjigje apo një mundësi pune.