Prindërit e Ilaria Sulës, Flamur dhe Gëzime Sula, kanë shprehur dhimbjen e thellë pas vrasjes tragjike të vajzës së tyre nga i dashuri i saj, Mark Antony Samson.

Ata kërkuan që autori të kalbet në burg përjetë dhe theksuan se ajo që ai bëri ishte një akt i pabesueshëm, që nuk mund të bëhet as ndaj kafshëve.

Gjatë intervistës, ata e përshkruan Ilarian si një vajzë të mrekullueshme dhe me shumë ëndrra, që kishte studiuar për Statistikat Financiare dhe do të diplomonte këtë vit.

Për të, ata theksuan se humbja e saj i kishte shkaktuar një dhimbje të paimagjinueshme dhe se nuk do ta shihnin më kurrë atë të hynte në shtëpinë e tyre.

Ata gjithashtu shprehën zemërimin ndaj nënës së autorit, e cila kishte ndihmuar të birin të fshehte gjurmët e krimit, duke e cilësuar atë si një nënë të pafalshme.

Ndërkohë, vëllai i Ilarias, Leon, u shpreh se dëshironte të dinte nëse e motra kishte mundur të thoshte fjalët e saj të fundit para se të humbte jetën.