Pas rreth dy orësh debatesh në Kuvend, Ulsi Manja mori fjalën për të diskutuar draft-rezolutën për integrimin në Bashkimi Europian, por e nisi ndërhyrjen e tij me replika politike ndaj kreut të opozitës.

Manja reagoi pasi Sali Berisha kishte përmendur më herët gjatë seancës një takim të tij me Belinda Balluku në Peshkopi.

Gjatë fjalës së tij, Manja ironizoi edhe drejtuesin e seancës, Niko Peleshi, lidhur me përdorimin e shprehjes “miko”, të përdorur më herët gjatë debatit parlamentar.

Ndërhyrja e tij u shoqërua me batuta dhe reagime nga deputetët në sallë, ndërsa debati politik vijoi paralelisht me diskutimet për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Zoti Kryetar i Kuvendit, meqë qëparë nuk ma dhe fjalën për të konsumuar minutat e mia për t’ju përgjigjur Sali Berishës për akuzat që bëri, të paktën të të kërkoja dhe ndjesën me mikrofon se të ula gradat që ke. Preferove që në vend të ndjesës publike time, të dominojë cinizmi yt me mikrofon. Dua të të kërkoj që fuqia e ndjesës edhe pa mikrofon është shumë më e fortë sesa cinizmi i kujtdo në raport me kolegët në këtë sallë. Unë e njoh rregulloren e Kuvendit”, tha ndër të tjera Manja.

As këtë herë Peleshi nuk e la pa përgjigje deputetin socialist.

“Mua nuk më lejohet të përgjigjem, sipas rregullores së Kuvendit, por fjalët tuaja do ti studio, mund të ndryshoj opinion por jo sjellje”, u përgjigj Peleshi.