Të miturit që përfshihen në veprime të dhunshme gjatë protestave mund të mbajnë përgjegjësi penale që në moshën 14 vjeç. Paralajmërimi vjen nga Ministria e Brendshme, e cila u është drejtuar të rinjve dhe prindërve të tyre, ndërsa protestat në Tiranë vijojnë të shoqërohen me incidente.
Në një deklaratë për mediat, zëvendësministrja e Brendshme, Anisa Ruseti, sqaroi se sipas Kodit Penal, përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16 vjeç.
“Ushtrimi i së drejtës për të protestuar nuk i përjashton ata nga përgjegjësia individuale për dhunën ndaj qytetarëve dhe punonjësve të policisë, dëmtimin dhe shkatërrimin e pronës publike apo private, zjarrvënien, vjedhjen apo mbajtjen e paligjshme të armëve dhe mjeteve shpërthyese. Të rinjtë dhe prindërit duhet të jenë të informuar se mosha e mitur nuk i përjashton automatikisht nga përgjegjësia penale. Sipas Kodit Penal, përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16 vjeç. Përgjegjësia do të vlerësohet individualisht, mbi bazën e veprimeve dhe provave për secilin person, duke respektuar në çdo rast prezumimin e pafajësisë” tha ajo.
Zëvendësministrja deklaroi se situata është nën kontroll, pavarësisht akteve të dhunës të regjistruara deri në orët e pasdites, mes tyre edhe sulmi ndaj Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Ajo falënderoi prindërit dhe kujdestarët që iu përgjigjën thirrjes së ministrisë dhe shoqëruan fëmijët në shkollë, duke shmangur përfshirjen e tyre në protesta ku ekziston rreziku i përplasjeve të dhunshme.
Ruseti nënvizoi se pjesëmarrja në një protestë nuk e bën askënd përgjegjës për veprimet e të tjerëve, por e drejta për të protestuar nuk përjashton përgjegjësinë individuale për dhunën, dëmtimin e pronës, zjarrvënien, vjedhjen apo mbajtjen e paligjshme të armëve dhe mjeteve shpërthyese.
“Të rinjve që ndodhen pranë zonave të përplasjeve u bëjmë thirrje edhe një herë, largohuni nga dhuna! Mos lejoni që nxitja e dikujt tjetër, presioni i grupit apo thirrje në rrjetet sociale t’ju çojë drejt veprimeve që mund të rrezikojnë jetën tuaj dhe të të tjerëve! Ushtrojeni të drejtën tuaj për protestë në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi” deklaroi ajo.
