Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka folur në “Breaking” në Top News, në lidhje me reagimin e tij kundër protestës dhe në mbrojtje të kryeministrit Edi Rama.

Pavarësisht se në të kaluarën, në Kuvend Spaho e ka akuzuar Ramën për lidhje me krimin, këtë herë ai ka thënë se Rama është i domosdoshëm për integrimin e vendit në Bashkimin Europian dh nuk duhet të japë dorëheqjen, kërkesë e parashtruar nga qytetarët që protestojnë prej një muaji.  Spaho u shpreh kundër protestës, teksa tha se ajo organizohet nga ish-ministrja, ish-drejtorë që dikur mbështesnin Partisë Socialiste, e po ashtu nga organizata të tjera.

“Qëndrimin ndaj protestës e kam shprehur dhe jam kundër. Aty ka qytetarë naivë që mendojnë se do arrijnë të ndryshojnë diçka dhe këtu ka vend për të ndryshuar. Por shumica janë për interesat personale, të grupeve fundamentale fetare, neomarksiste, të Kosovës dhe Maqedonisë, islamiste nga këto vende dhe LGBTQ etj. Duan të ndryshojnë sistemin me revolucion. Këta janë pakica. Shumica janë gati 2 milionë që votojnë në Shqipëri. Po të lexosh vetëm titullin e postimit tim të bën përshtypje. Por po të lexosh më poshtë, do e kuptosh atë që kam dashur të them.

Kam thënë që Edi Rama i ka bërë shumë të këqija këtij vendi dhe duhet të ikur me kohë. Por do i bënte një dëm më të madh nëse do i jepej presionit të këtij grupi, që nuk dinë çfarë duan apo kush i drejton. Lidershipi i protestës ka frikë të dalë. Janë ish-ministrat e PS-së, ish-drejtorë të administratës, këta e drejtojnë bashkë me grupet e tjera. Këta shkojnë me synimin të marrin PS-në, të marrin karrige siç ishin dhe të vazhdojnë revolucionin. Rama duhet të qëndrojë për hir të integrimit të vendit. Është e domosdoshme. Ne kemi një vit kohë për të mbyllur kapitujt. Nëse këtë vit do e përdorim për tu marrë me këta të sheshit, BE-ja do mbyllë dyert. Ky proces do stabilitet, nuk do revolucion dhe përmbysje të institucioneve. Ndryshe nuk të prnaon Bashkimi Europian.”- tha ai.