Banorët e Maliqit kanë dalë sërish në protestën kundër planit për riorganizimin e ri territorial, i cili parashikon shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Korçës. Gjatë tubimit, banorët e kanë cilësuar nismën e PS si një dëmtim të drejtpërdrejtë për të ardhmen administrative, ekonomike dhe përfaqësimin e komunitetit lokal.

Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë shprehur edhe keqardhjen për numrin e ulët të qytetarëve në shesh. Ata e kanë lidhur këtë situatë drejtpërdrejt me klimën e frikës dhe presionin e ushtruar ndaj banorëve nga struktura të pushtetit. Gjatë fjalimeve, protestuesit bënë thirrje për reagim mbarëqytetar.

Protestuesit akuzuan drejtuesit e pushtetit vendor dhe deputetët e zonës, duke u kërkuar atyre të deklarojnë publikisht qëndrimin e tyre për fshirjen e Maliqit nga harta si bashki më vete. Po ashtu, përfaqësuesit e komunitetit kërkuan qartësi dhe angazhim nga zyrtarët për këtë çështje. Ndërkohë, aktivistët theksuan se protesta nuk do të jetë aksioni i fundit, por ata paralajmëruan vijimin e tubimeve gjatë ditëve në vijim.

“Shkrirja e Bashkisë Maliq do të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen e qytetit dhe të banorëve tanë. Mos të heshtim përballë këtij vendimi! Banorët duhet të kapërcejnë frikën dhe të dalin publikisht kundër ndryshimit të propozuar territorial,” u shprehën protestuesit.