Edhe pse janë të ndaluara, shumë markete dhe biznese në vend tregtojnë fishekzjarrë dhe kapsolla në kundërshtim me ligjin. Në Kolonjë, janë intensifikuar dy raste, teksa janë proceduar penalisht dy persona.

Gjatë kontrolleve të ushtruara, policia konstatoi dy markete ku mbaheshin në mënyrë të paligjshme sasi lëndësh piroteknike me qëllim shitjen. Në vijim të veprimeve procedurale, materialet u referuan në Prokurori dhe nisi procedimi penal për dy shtetase, pronare të këtyre marketeve.

Konkretisht, u procedua penalisht shtetasja T. R., 67 vjeçe, banuese në Ersekë, pasi në marketin e saj u gjetën 49 kuti me lëndë piroteknike, që përmbanin gjithsej 2918 kapsolla. Po ashtu, u procedua penalisht shtetasja Z. I., 56 vjeçe, banuese në Ersekë, pasi në marketin e saj u gjetën 3 kuti me lëndë piroteknike, me 170 kapsolla.

Në total, u sekuestruan 52 kuti me lëndë piroteknike, që përmbanin 3088 kapsolla, të ndaluara për tregtim, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Policia bën me dije se kontrollet për parandalimin e tregtimit të kundërligjshëm dhe të rrezikshëm të lëndëve piroteknike do të vijojnë edhe në ditët në vijim.