“Fiks Fare”


Braktisen gratë që denoncuan dhunën në qendrën e rehabilitimit



Kanë mbetur në mëshirë të fatit dhe pa asnjë përkrahje tri gratë dhe katër fëmijët e tyre, të cilat para një muaji vendosën të braktisnin Qendrën Kombëtare të Rehabilitimit të Viktimave të Dhunës në Familje. Pasi ato trokitën në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” dhe denoncuan se si u shkeleshin të drejtat e tyre nga drejtoresha e qendrës, Dodona Kaloshi, u morën në mbrojtje nga Policia e Shtetit.


Gratë kanë treguar se policia i ka strehuar vetëm për 72 orë në një qendër private, ku strehohen gjithashtu gra të dhunuara. Pikërisht kjo qendër private është përpjekur që të gjejë një strehë për tri gratë dhe katër fëmijët e tyre. Shtëpia ku janë strehuar ndodhet në një pallat të vjetër në njërën prej lagjeve të Tiranës. Gratë na kanë treguar se qiranë e muajit prill e ka paguar qendra private, në të cilën i strehoi Policia e Tiranës, por tani ato duhet të paguajnë qiranë e muajit maj, sepse në të kundërt pronari i shtëpisë do t’i nxjerrë në rrugë.


Gjatë gjithë muajit prill, këto gra kanë qenë në kërkim të një pune, madje kanë trokitur dhe në dyert e institucioneve me shpresën se do të marrin një ndihmë, por kudo kanë gjetur vetëm dyer të mbyllura. Të lodhura nga përpjekjet e dështuara për të gjetur një vend pune ku të mund të sigurojnë të ardhura për të jetuar, ato iu drejtuan sërish emisionit “Fiks Fare” për ndihmë. Disa ushqime që ndodhen në dollapin e tyre janë ndihma që u kanë dhënë shoqata të ndryshme, ndërkohë që gratë thonë se u ka mbetur një gjysmë buke, e cila do të përdoret vetëm për fëmijët. Ditët e tyre sa vijnë e vështirësohen. Çdo mëngjes ato dalin për të kërkuar punë dhe me frikën se mund të përballen me dhunuesit e tyre u është shtuar dhe frika se si do t’i gjejë dita tjetër dhe çfarë do t’u thonë fëmijëve kur të kërkojnë ushqim.


Gratë janë shprehur se nuk kanë asnjë mbështetje dhe të vetmet viktima të kësaj situate janë katër fëmijë të pafajshëm. Më i vogli prej tyre është 15 muajsh. Prej disa ditësh i vetmi ushqim për të kanë qenë disa gota ujë me sheqer, ndërkohë që asnjë çerdhe apo kopsht shtetëror nuk ka hapur dyert për këta fëmijë, që padrejtësisht kanë rënë viktima të dhunës. Nënat e tyre thonë se ndihen në faj kur shohin se ushqimi po pakësohet dita-ditës dhe ato nuk munden të bëjnë asgjë për të siguruar të paktën diçka për fëmijët, pasi vetë kanë arritur të mbijetojnë dhe disa ditë pa ngrënë. Dita-ditës gratë presin të trokasë dera dhe pronari i shtëpisë t’i nxjerrë në rrugë, së bashku me fëmijët dhe atëherë ato nuk do të dinë më se ku të shkojnë.


Pesimiste për faktin se tashmë përpjekjeve të tyre për t’i dëgjuar dikush u ka ardhur fundi, pasi edhe pse ato morën guximin dhe të parat denoncuan shkeljen e të drejtave të tyre nga drejtoresha e Qendrës së Rehabilitimit të Viktimave të Dhunës në Familje, askush nuk reagoi por përkundrazi janë vetë ato që po vuajnë çdo ditë e më shumë mes skamjes dhe frikës. Nuk pranojnë të kthehen në qendrën të cilën e braktisën, të paktën jo derisa drejtoreshë të jetë znj. Dodona Kaloshi.


Gratë kanë pohuar se do ta kenë më të lehtë të përballen me skamjen sesa me dhunën dhe stresin që kanë përjetuar në institucionin e vetëm kombëtar të ngritur për t’i ndihmuar.


Ato kanë vendosur sërish të vënë në dijeni Kryeministrin e shtetit, Sali Berisha, dhe ministrin e MPCSSHB, z. Spiro Ksera, për vazhdimësinë e shkeljes së të drejtave të tyre nga drejtoresha e qendrës znj. Dodona Kaloshi. Nëpërmjet një mesazhi në celular, gratë kanë kërkuar me ngulm reagimin nga këta titullarë, madje ato kanë kërcënuar se do të futen në grevë urie në rast se nuk merren masat e duhura.


“Fiks Fare” ka arritur të sigurojë një skandal që mban firmën e drejtoreshës së Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës në Familje. Kësaj here, znj. Kaloshi ka miratuar disa standarde për funksionimin e qendrës, kompetencë kjo e Kryeministrit Berisha dhe institucionit përkatës, që në këtë rast është Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror. Standardet e miratuara nga znj. Kaloshi janë një kopje e standardeve që janë miratuar nga Kryeministri Berisha dhe janë hartuar në përputhje me nenet përkatëse të Kushtetutës së Shqipërisë.