Dy vëllezër, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e një shtetasi në vitin 2018 në qarkun Dibër, janë arrestuar gjatë një operacioni të koordinuar nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë Dibër dhe DVP Gjirokastër.

Operacioni, i koduar “Twins”, çoi në arrestimin e dy shtetasve, K. K., 39 vjeç, dhe K. K., gjithashtu 39 vjeç, të dy banues në Gjirokastër. Gjatë kontrollit të banesave të tyre, autoritetet sekuestruan 3 armë zjarri, përfshirë 2 kallashnikovë dhe 1 pushkë, një thikë, 3 krehëra, municion luftarak, një maskë dhe 3 aparate celularë.

Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, për të verifikuar nëse ato janë përdorur në vrasjen e vitit 2018 ose në ngjarje të tjera kriminale. Hetimet janë duke u udhëhequr nga Prokuroria e Dibrës, e cila ka nisur një punë intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të vrasjes.

Po ashtu, Prokuroria po vazhdon punën për kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar që mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje. Materialet procedurale janë referuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.