Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, deklaroi se Shqipëria po forcon pozicionin e saj si lider rajonal në energjinë e rinovueshme, gjatë pjesëmarrjes në Ministerialin e Energjisë të zhvilluar në Mal të Zi, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Sipas tij, takimi shërbeu si një platformë e rëndësishme bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe investitorëve privatë. Karakaçi nënvizoi se Shqipëria mbetet “kampion” në energjinë e rinovueshme, falë skemave të ankandeve dhe investimeve në rritje, përfshirë projektet fotovoltaike të realizuara edhe pa mbështetje shtetërore.
“Ishim sot në Mal të Zi, në Ministerialin e Energjisë, përsa i përket procesit të Berlinit dhe përsa i përket të gjitha masave që shtetet e rajonit të Ballkanit janë duke marrë për përafrimin në Bashkimin Europian. Ky ishte një Forum mjaft i mirë, kishte një bashkëbisedim ndërmjet institucioneve financiare ndërkombëtare, ministreve të Energjisë, por edhe të gjithë aktorëve privat që duan të investojnë në rajon.
Edhe një herë u theksua mjaft qartë të gjitha politikat mbështetëse që Qeveria Shqiptare ka realizuar për energjinë e rinovueshme. Shqipëria vazhdon të jetë kampion në energjinë e rinovueshme nëpërmjet të gjitha skemave mbështetëse të ankandeve, por jo vetëm edhe investimeve që tashmë kanë marrë jetë si në rastin e energjisë fotovoltaike, të cilat janë realizuar pa mbështetje qeveritare dhe vetëm me iniciativë proivate.
Problematikë që ngritën të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor është taksa e re e karbonit e implementuar nga Bashkimi Europian që nënkupton që çdo prodhim energjie elektrike jo e rinovueshme në vendet e rajonit do të taksohet shtesë nga Bashkimi Europian. Edhe këtu, ky është një oportunitet shumë i mirë që Shqipëria duke qenë kampion i energjisë së rinovueshme në rajon, të shfrytëzojë këtë potencial dhe të rrisë investimet në energjinë e rinovueshme. Kjo politikë e Bashkimit Europian gjen Shqipërinë shumë të përgatitur dhe madje në një proces më konkurrues me të gjitha vendet e tjera,” tha Ministri Enea Karakaçi.
