Seanca plenare e ditës së sotme në Kuvend është shoqëruar me tensione dhe debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës. Gjatë fjalës së tij, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është ndërprerë disa herë nga deputetët e opozitës, duke reaguar me tone të larta dhe shprehje të forta si “ka dy veta që lehin” dhe “ta tregoj unë ty”.
Pas kësaj, deputeti i opozitës Belind Këlliçi ka kërkuar ndërhyrjen e kryetarit të Kuvendit dhe përjashtimin e Ballës nga seanca, duke e akuzuar për ofendime dhe kërcënime të drejtpërdrejta ndaj deputetëve të Partisë Demokratike.
“Zoti kryetar nuk ju ve faj se jeni dhe mes zhurmës nuk i dëgjoni të gjitha por kërkoj përjashtimin e Taulant Ballës pasi kërcënoi dhe ofendoi drejtpërdrejtë deputetët e PD-së duke përdorur terma si “nuk jam si rraca e tij”, “ta tregoj unë ty, do merremi vesh më vonë” dhe “ka njerëz që lehin”. Kërkoj ndërprerjen e seancës 10-15 minuta të shikoni videon dhe të kuptoni a janë të vërteta ato që thashë”, përfundoi Këlliçi.
