Orë tensioni janë regjistruar në burgun “Don Bosco” të Pizës, ku dhjetëra të dënuar refuzuan të ktheheshin në qelitë e tyre dhe kërkuan përballje me drejtuesit e institucionit. Mes personave të përfshirë raportohet se kishte edhe shtetas shqiptarë.

Ngjarja nisi rreth orës 19:00 të së mërkurës, 30 shtator, dhe vazhdoi për disa orë. Rreth 40 të burgosur u grumbulluan në një prej sektorëve të godinës, duke kërkuar të bisedonin drejtpërdrejt me komandantin e policisë penitenciare dhe drejtoreshën e burgut.

Në qendër të protestës ishin disa pajisje elektronike që të dënuarit pretendojnë se i kishin zbuluar të fshehura brenda qelive. Sipas raportimeve të mediave italiane, ata dyshonin se bëhej fjalë për mikrofonë përgjimi të instaluar për arsye hetimore.

Të burgosurit kundërshtuan praninë e pajisjeve dhe kërkuan shpjegime nga drejtuesit, duke pretenduar se komunikimet e tyre brenda qelive po përgjoheshin.

Situata mori një tjetër dimension kur një prej personave të përfshirë nisi të transmetonte pamje drejtpërdrejt në TikTok. Telefonat celularë janë të ndaluar brenda institucioneve penitenciare, ndaj autoritetet pritet të verifikojnë edhe mënyrën se si pajisja kishte përfunduar në duart e të burgosurit.

Gjatë transmetimit dëgjohen persona që komunikojnë si në italisht, ashtu edhe në shqip. Në një moment, personi që filmon shprehet se nevojitej prania e gazetarëve, duke pretenduar se të burgosurit rrezikonin të dhunoheshin. Në sfond dëgjohen gjithashtu të bërtitura dhe sharje në gjuhën shqipe.

Sipas versionit të dhënë nga vetë të dënuarit gjatë videos, ata ishin nxjerrë më parë nga qelitë dhe, pasi ishin rikthyer, kishin konstatuar praninë e pajisjeve që dyshonin se shërbenin për përgjim.

Gjatë tensioneve raportohet se pati edhe përplasje fizike. Të burgosurit pretenduan se efektivët e policisë penitenciare kishin përdorur shkopinj gome ndaj tyre, por rrethanat e përplasjes mbeten për t’u sqaruar zyrtarisht.

Për shkak të situatës, pranë burgut u dërguan ambulanca, ndërsa jashtë perimetrit u mobilizuan forca të shtuara të policisë, karabinierisë dhe policisë penitenciare.

Pas disa orësh tensioni, autoritetet morën situatën nën kontroll. Hetimet pritet të përcaktojnë se çfarë ndodhi brenda institucionit, origjinën dhe funksionin e pajisjeve elektronike që pretendohet se u gjetën në qeli, si dhe rrethanat e përplasjeve mes të burgosurve dhe efektivëve.