Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka reaguar pas ngjarjeve të regjistruara në oborrin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, duke shprehur shqetësim për zhvillimet dhe duke bërë thirrje për respektimin e vendeve të shenjta.
Në një reagim të publikuar sot, Kisha thekson se ambientet e saj nuk duhet të kthehen në hapësira konflikti dhe përplasjeje, por të mbeten vende lutjeje dhe promovimi të paqes.
REAGIMI
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, pasi pa pamjet e ngjarjeve në oborrin e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, shpreh shqetësimin dhe bën thirrje të respektohen vendet e saj të shenjta. Ato asnjëherë nuk janë hapësira konflikti e përplasjeje dhe nuk i pranojnë ato.
Katedralja “Ngjallja e Krishtit” është vend i shenjtë lutjeje, vend ku kryhen shërbesat e shenjta dhe ku predikohet kultura e paqes.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë bën edhe njëherë thirrje për distancim nga dhuna dhe gjetjen e hapësirës së dialogut.
