Ish-i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar ndaj deklaratës së komisioneres evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Kos deklaroi se vendimet e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen, duke theksuar gjithashtu se personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë. Ajo e cilësoi çështjen si një proces që lidhet me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre.

Në një reagim në rrjetin social X, Grenell kundërshtoi qëndrimin e saj dhe kritikoi institucionet evropiane. Sipas tij, mbajtja në burg për një periudhë të gjatë për ngjarje të ndodhura dekada më parë është e papranueshme.

“Evropa duhet të reformojë institucionet e saj dhe politikat e saj. Kjo nuk është drejtësi; është aktivizëm i elitave”, shkroi Grenell, duke shtuar se financimi për këto gjykata, të cilat ai i quajti “radikale”, duhet të ndërpritet.

Reagimet vijnë pas aktgjykimit të 16 shtatorit, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u dënuan për krime lufte, me dënime që në total arrijnë në 81 vite burgim. Vendimi është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ankimi.